SHAH BUZË LIQENIT TË OHRIT/ Struga “kap mat” Pogradecin dhe Ohrin në kampionatin ndërkufitar
Për herë të parë, sportistë të të gjitha grupmoshave nga Pogradeci, Ohri dhe Struga u bënë pjesë e një kampionati të përbashkët shahu, të organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shahut.
Ky format sportiv bëri bashkë tre qytetet që shtrihen rreth Liqenit të Ohrit, duke shënuar një risi në bashkëpunimin ndërkufitar përmes sportit.
Pjesëmarrësit u shprehën entuziastë për këtë nismë të re, duke vlerësuar mundësinë për të garuar me sportistë nga vendet fqinje.
Ata u shprehën se shahu është një sport që zhvillon logjikën, strategjinë dhe durimin, ndërsa sugjeruan që të përqafohet më shumë, veçanërisht nga të rinjtë.
Në përfundim të kampionatit, vendin e parë e fitoi skuadra e Strugës, e cila triumfoi përballë ekipeve të Pogradecit dhe Ohrit.
Synimi është që ky aktivitet të kthehet në një traditë të përvitshme.
Edicionet e ardhshme pritet të zhvillohen fillimisht në Ohër dhe më pas në Strugë, duke forcuar më tej këtë traditë të re sportive dhe bashkëpunimin ndërkufitar.


