Ronaldo në qendër të kritikave / Portugalia përçahet pas debutimit zhgënjyes në Botëror

Ronaldo në qendër të kritikave / Portugalia përçahet

Portugalia po përgatitet për ndeshjen e dytë në grupet e Botërorit 2026, por atmosfera në kampin luzitan mbetet e tensionuar pas debutimit zhgënjyes në turne. Në qendër të kritikave vazhdon të jetë Cristiano Ronaldo, i cili po përballet me një valë të fortë reagimesh nga mediat, specialistët dhe tifozët portugezë.

Sulmuesi 41-vjeçar nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në ndeshjen e parë, duke u konsideruar nga shumë analistë si një nga pikat më të dobëta të skuadrës. Kritikat kanë shkuar deri aty sa një pjesë e mediave kanë kërkuar që Ronaldo të nisë ndeshjet nga stoli.

Ndërkohë, debatet rreth rolit të tij në kombëtare duket se kanë depërtuar edhe brenda skuadrës. Pas deklaratave të Joao Mendes, edhe Francisco Conceição ka lënë të kuptohet se asnjë futbollist nuk është mbi ekipin, duke shtuar zërat për një distancim të disa lojtarëve nga kapiteni portugez.

Pavarësisht presionit në rritje, trajneri Roberto Martinez nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga ylli i tij. Sipas raportimeve, Ronaldo pritet të jetë sërish titullar në përballjen e së martës ndaj Uzbekistanit, por këtë herë në krahun e majtë të sulmit, pozicion ku ka shkëlqyer gjatë karrierës së tij.

Ky ndryshim taktik mund të sjellë sakrifikimin e Pedro Netos, një prej lojtarëve më të spikatur në ndeshjen e parë të Portugalisë, duke shtuar edhe më shumë polemikat dhe diskutimet rreth vendimeve të trajnerit Martinez.

Me tensionet në rritje dhe kritikat që nuk ndalen, ndeshja ndaj Uzbekistanit pritet të jetë vendimtare jo vetëm për ecurinë e Portugalisë në Botëror, por edhe për të ardhmen e Cristiano Ronaldos në formacionin titullar.

EMISIONET