PAMJE të pazakonta në Botërorin 2026/ Suedia stërvitet pranë rrënojave të një stadiumi në rinovim

Kombëtarja e Suedisë është përballur me një skenë të pazakontë gjatë përgatitjeve për ndeshjen ndaj Japonisë në Botërorin 2026, pasi futbollistët u detyruan të stërviteshin pranë rrënojave të një objekti të shembur në stadiumin ku zhvilluan seancën e tyre stërvitore.

Skuadra suedeze kishte zgjedhur Toyota Stadium, shtëpinë e klubit amerikan Dallas, si bazë të përkohshme për stërvitje përpara përballjes me Japoninë në Arlington. Megjithatë, kur futbollistët mbërritën në impiant, u përballën me pasojat e një incidenti të ndodhur gjatë punimeve të rinovimit të stadiumit.
Objekti sportiv është aktualisht në mes të një projekti modernizimi me vlerë rreth 150 milionë paund. Sipas raportimeve, një pjesë e strukturës që po prishej gjatë punimeve është rrëzuar në drejtimin e gabuar, duke përfunduar mbi tribunat poshtë saj dhe duke lënë pas një panoramë të pazakontë me rrënoja dhe materiale ndërtimi.
Pamjet kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, pasi është e rrallë që një kombëtare pjesëmarrëse në Kupën e Botës të zhvillojë stërvitje në një ambient të tillë.

Mes lojtarëve që panë nga afër këtë situatë ishin edhe yjet e Suedisë, Alexander Isak dhe Viktor Gyokeres, të cilët me siguri nuk prisnin të gjenin një skenë të ngjashme gjatë rrugës drejt seancës stërvitore.
Pavarësisht pamjeve të pazakonta, stërvitja u zhvillua sipas planit dhe Suedia vazhdon përgatitjet për sfidën e rëndësishme ndaj Japonisë në fazën e Botërorit 2026.

