Shpërthimi i Ebolës, autoritetet shëndetësore: Janë humbur gjurmët e rreth 300 pacientëve në Kongo

Shpërthimi i Ebolës, autoritetet shëndetësore: Janë

Autoritetet shëndetësore afrikane kanë ngritur alarmin pasi vendndodhja e rreth 300 personave të diagnostikuar me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos mbetet e panjohur.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Jean Kaseya, tha se të dhënat mbi pacientët e shëruar, ata që po marrin trajtim dhe viktimat tregojnë se 297 persona të konfirmuar me Ebola nuk janë më të gjurmueshëm.

“Ky është një burim shqetësimi për ne. Ku janë këta njerëz?”, deklaroi Kaseya.

Ai shtoi se 30% e rasteve të reja janë identifikuar mes kontakteve të njohura të rasteve të konfirmuara, një tregues që, sipas tij, dëshmon për një përhapje të gjerë të virusit në komunitet.

Komentet e tij vijnë ndërsa parashikimet e zyrës rajonale për Afrikën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuara në revistën Lancet Infectious Diseases, parashikojnë se deri në mesin e shtatorit numri i rasteve mund të arrijë në rreth 8.210, ndërsa viktimat në 1.420.

Deri më tani, në Republikën Demokratike të Kongos janë regjistruar 1.118 raste të konfirmuara dhe 291 viktima. Ndërkohë, në Ugandën fqinje janë raportuar 20 raste dhe dy viktima.

Shpërthimi aktual, i shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, konsiderohet më i madhi i regjistruar ndonjëherë vetëm pesë javë pas shpalljes së epidemisë. Për krahasim, në të njëjtën fazë të epidemisë së Afrikës Perëndimore në vitet 2014–2016 ishin regjistruar 239 raste dhe 160 viktima, ndërsa gjatë gjithë asaj epidemie u infektuan mbi 28 mijë persona dhe humbën jetën më shumë se 11 mijë.

Sipas modeleve të fundit epidemiologjike, ekziston një probabilitet prej 70% që virusi të përhapet në Sudanin e Jugut gjatë javëve të ardhshme.

Ndërkohë, qendrat e trajtimit të Ebolës po funksionojnë pothuajse në kapacitet maksimal. Sipas Africa CDC, rreth 95% e shtretërve janë të zënë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kulmi i epidemisë ende nuk është arritur.

Në një zhvillim tjetër, Franca njoftoi të mërkurën se një mjek, i cili kishte punuar në Republikën Demokratike të Kongos, rezultoi pozitiv me Ebola pas kthimit në vend. Organizata joqeveritare mjekësore ALIMA, punëdhënësi i tij, deklaroi se po heton mënyrën se si mund të ketë ndodhur infektimi.

EMISIONET