Leo Messi pranë një rekordi historik, mund të barazojë Cafu

Leo Messi pranë një rekordi historik, mund të barazojë Cafu

Lionel Messi është vetëm një hap larg një tjetër arritjeje historike në karrierën e tij. Pas kualifikimit të Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026, kapiteni i “Albiceleste” ka mundësinë të bëhet një nga futbollistët e rrallë që luan në tri finale të Botërorit.

Nëse zbret në fushë në finalen ndaj Spanjës, Messi do të barazojë rekordin e legjendës braziliane Cafu, i cili deri më tani është i vetmi lojtar që ka luajtur në tri finale radhazi të Kupës së Botës.

Cafú ishte pjesë e finales së Botërorit “SHBA 1994”, ku Brazili mposhti Italinë dhe fitoi titullin, edhe pse ai e nisi ndeshjen nga stoli. Katër vite më vonë luajti si titullar në humbjen ndaj Francës në finalen e vitit 1998, ndërsa në “Kore-Japoni 2002”, si kapiten, udhëhoqi Brazilin drejt triumfit 2-0 ndaj Gjermanisë dhe fitimit të titullit të pestë botëror.

Messi, nga ana tjetër, ka marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës që prej debutimit të tij në vitin 2006, kur ishte vetëm 18 vjeç. Finalen e parë e luajti në Botërorin e vitit 2014, ku Argjentina u mposht 1-0 nga Gjermania pas kohës shtesë. Tetë vite më vonë, në Katar 2022, ai realizoi ëndrrën e madhe duke udhëhequr Argjentinën drejt titullit botëror pas finales spektakolare ndaj Francës.

Tashmë, me finalen e Botërorit 2026 përpara, Messi ka mundësinë të shkruajë edhe një kapitull të ri në historinë e futbollit, duke u renditur krah Cafús si një nga lojtarët me më shumë finale të luajtura në Kupën e Botës.

Përveç Cafús, edhe emra legjendarë si Ronaldo Nazário, Pelé, Lothar Matthäus dhe Pierre Littbarski kanë qenë pjesë e tri finaleve të Botërorit, por asnjëri prej tyre nuk ka zbritur në fushë në të trija.

EMISIONET