Kreshnik Tartari, mjeshtri që e ngriti volejbollin shqiptar në lartësinë e përfaqësimit dinjitoz

Kreshnik Tartari, mjeshtri që e ngriti volejbollin shqiptar në

Përjetësinë ai e shkroi në eter, në frymën dhe duart që zgjateshin të kapin qiellin e triumfit, në shpirtin që ju blatua asaj që ishte e perëndishme, për secilin prej atyre që rrjeta nuk ishte kufiri, por porta e çelur drejt suksesit dhe ëndrrave.

Kur Europa për Shqipërinë e izoluar ngjante me një planet të paarritshëm, Kreshnik Tartari guxoi të ndërtonte urat e dinjitetit përmes fushës së volejbollit. Ai nuk skiconte thjesht taktikën e një loje, por arkitekturën e një shpirti fitues. Ndarja nga jeta në moshën 83-vjeçare e këtij kolosi mbyll një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë sportive, por hap portat e pavdekësisë për një misionar që bëri epokë aty ku të tjerët shihnin vetëm pamundësi.

I lindur më 21 korrik 1943, Tartari u formua në radhët e Dinamos, aty ku nisi udhëtimin e tij drejt një karriere që do të tejkalonte kufijtë e një lojtari të suksesshëm. Fillimisht si volejbollist dhe më pas si trajner, ai u bë pjesë e atij brezi të artë që e shndërroi Dinamon në një fuqi dominuese të volejbollit shqiptar dhe një emër të respektuar në arenat europiane.

Megjithatë, vepra e tij më e madhe do të lidhej me volejbollin e femrave. Në një kohë kur Shqipëria jetonte e izoluar dhe përballja me ekipet europiane dukej si një sfidë pothuajse e pamundur, Kreshnik Tartari arriti të ndërtonte skuadra që nuk hynin në fushë për të mbijetuar, bur për të konkurruar dhe për të fituar respekt. Nën drejtimin e tij, Dinamo dhe ekipi kombëtar i femrave u kthyen në emra që Europa i njihte dhe i vlerësonte. Ato vajza, të cilat ai i formoi me rigorozitet, disiplinë dhe besim, u bënë ambasadore të një sporti që falë tij fitoi prestigj dhe identitet.

Karriera e Kreshnik Tartarit është e mbushur me shifra që flasin vetë: mbi 400 ndeshje ndërkombëtare, rreth 2000 ndeshje zyrtare, 26 tituj kampionë kombëtarë si lojtar dhe trajner, 18 fitore në Kupën e Republikës dhe pjesëmarrje në 17 edicione të Kupave të Europës. Por madhështia e tij nuk matet vetëm me trofe. Ajo matet me ndikimin që pati mbi njerëzit, me kulturën sportive që krijoi dhe me standardet që vendosi.

Një nga momentet kulmore të veprimtarisë së tij mbetet medalja e artë në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987 në Latakia, një sukses historik që mbetet ndër arritjet më të ndritura të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ishte një triumf që dëshmoi se puna, talenti dhe besimi mund të kapërcenin kufijtë e izolimit dhe të sfidonin me dinjitet kundërshtarë shumë më të favorizuar.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, shteti shqiptar dhe institucionet sportive e nderuan me titujt më të lartë: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, si dhe medekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u vlerësua gjithashtu me Urdhrin “Naim Frashëri” në disa klasa dhe me certifikime prestigjioze ndërkombëtare, duke fituar respekt jo vetëm brenda vendit, por edhe përtej kufijve të tij.

Sot, ndërsa sporti shqiptar përkulet me respekt para kujtimit të tij, nuk ndahet nga jeta vetëm një trajner i madh, një kampion apo një fitues i shumë titujve. Largohet një njeri që e deshi sportin me përkushtimin e një misionari dhe që e shndërroi atë në shkollë karakteri, dinjiteti dhe ëndrrash të realizuara.

Kreshnik Tartari i përket tashmë asaj galerie të rrallë personalitetesh që koha nuk i zbeh, bur i lartëson. Emri i tij do të vazhdojë të jetojë në kujtesën e sportistëve që formoi, në lavdinë e skuadrave që udhëhoqi, në historinë e volejbollit shqiptar dhe në mirënjohjen e një kombi që pati fatin ta kishte ndër bijtë e vet më të denjë.

Dhe nëse trofetë janë dëshmitë e fitoreve, trashëgimia që ai lë pas është dëshmia e pavdekësisë së veprës së tij. Sepse ka njerëz që largohen, bur nuk ikin kurrë. Kreshnik Tartari është njëri prej tyre. Ai do të mbetet përherë në fushën e nderit, aty ku luajnë dhe triumfojnë legjendat. U prehtë në paqe!

Por mbi të gjitha këto vlerësime, Kreshnik Tartari mbetet një simbol. Simbol i një brezi që e kuptonte sportin si karakter, si edukim dhe si përgjegjësi. Ai i përkiste atyre personaliteteve që nuk e kërkuan lavdinë për vete, bur e ndërtuan atë për të tjerët. Nëpërmjet tij u rritën kampione, u formuan sportiste, u ushqyen ëndrra dhe u krijua një traditë që vazhdon të frymëzojë edhe sot.

Me largimin e Kreshnik Tartarit, sporti shqiptar humbet një prej figurave të tij më emblematike, një njeri që i dha volejbollit jo vetëm fitore, bur edhe shpirt. Ai largohet fizikisht, bur mbetet i gjallë në historinë e sportit, në kujtesën e atyre që e njohën dhe në respektin e brezave që do të vazhdojnë ta shohin si një nga mjeshtrit e mëdhenj të volejbollit shqiptar.

Sepse disa njerëz nuk mbahen mend vetëm për atë që fituan, bur për atë që ndërtuan. Dhe Kreshnik Tartari ndërtoi një trashëgimi që koha nuk do ta zbehë. Ai mbetet një emër i gdhendur përhershëm në panteonin e sportit shqiptar.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET