Zhan d'Ark, vajza që solli në tokë mrekullinë hyjnore, shenjtorja që u ndëshkua për herezi

Zhan d'Ark, një fshatare e devotshme në Francën mesjetare, besonte se Zoti e kishte zgjedhur për ta udhëhequr Francën drejt fitores në luftën e saj të gjatë me Anglinë.
Pa asnjë trajnim ushtarak, ajo e bindi princin e kurorës, Sharlas të Valois (Charles of Valois), që ta lejonte të drejtonte një ushtri franceze drejt qytetit të rrethuar të Orleanit (Orléans), ku arritën një fitore mahnitëse.
Pas këtij triumfi të mrekullueshëm, reputacioni i Zhan d'Arkës u përhap me shpejtësi, duke u veshur me aureolën e një mrekullie qiellore që buronte nga besimi i palëkundur i një vajze. Ajo dhe pasuesit e saj e shoqëruan Sharlin nëpër territorin e armikut deri në Reims, duke nënshtruar qytetet që rezistonin me forcë dhe duke mundësuar kurorëzimin e tij si Mbreti Sharl VII (Charles VII), në korrik të vitit 1429.
Zhan d'Ark hodhi idenë se francezët duhet të nxitonin për të rimarrë Parisin, por Sharli u lëkund. Favoriti i tij në oborrin mbretëror, Georges de La Trémoille, e paralajmëroi mbretin se Zhana po bëhej shumë e fuqishme. Kështu, anglo-burgundianët arritën të forconin pozicionet e tyre në Paris dhe zmbrapsën një sulm të udhëhequr prej saj në shtator.
Në pranverën e vitit 1430, mbreti e urdhëroi Zhanën të përballej me një sulm burgundian në Kompienj (Compiègne). Në përpjekjen e saj për të mbrojtur qytetin dhe banorët, ajo u rrëzua nga kali dhe mbeti jashtë portave të qytetit, pikërisht kur ato po mbylleshin. Burgundianët e morën rob dhe e dërguan me bujë të madhe në kështjellën e Bouvreuil, e cila kontrollohej nga komandanti anglez në Rouen.
Aty nisi gjithçka: mori jetë një gjyq farsë dhe u shpërfaqën intrigat më të ulëta. Ndaj saj nuk u kursye asnjë poshtërsi apo akt çnjerëzor për ta gjunjëzuar, fajësuar, poshtëruar dhe denigruar atë që ajo kishte arritur përmes mrekullisë dhe besimit. E vetme kundër të gjithëve, ajo mbeti e pambrojtur përballë një armate gjykatësish fanatikë e mizorë.
Në gjyqin që pasoi, Zhan d'Ark u urdhërua t'u përgjigjej rreth 70 akuzave, duke përfshirë magjinë, herezinë dhe veshjen si burrë. Anglo-burgundianët synonin të eliminonin udhëheqësen e re, si dhe të diskreditonin Sharlin, i cili ia detyronte kurorën e tij pikërisht asaj. Në përpjekje për të distancuar veten nga një "shtrigë" dhe heretike e akuzuar, mbreti francez nuk bëri asnjë përpjekje për të negociuar lirimin e saj.
Në maj të vitit 1431, pas një viti në robëri dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të vdekjes, Zhana u thye dhe nënshkroi një rrëfim ku mohonte se kishte marrë ndonjëherë udhëheqje hyjnore. Megjithatë, disa ditë më vonë, ajo sfidoi urdhrat duke veshur sërish rroba burrash, çka bëri që autoritetet të shpallnin dënimin e saj me vdekje.
Nuk ka në histori një ngjarje të ngjashme me atë të Zhan d'Arkës, vajzës së vullnetit hyjnor, që u dogj e gjallë për herezi. Në mëngjesin e 30 majit 1431, pa i mbushur ende 19 vjeç, ajo u dërgua në Sheshin e Tregut të Vjetër në Rouen dhe u flijua në turrën e druve.
Fama e saj u rrit edhe më shumë pas vdekjes. Nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, një gjyq i ri i urdhëruar nga Sharl VII fshiu plotësisht emrin e saj nga akuzat, por pa mundur dot ta shkulte nga kujtesa historike dhe vetëdija e atyre që u bënë dëshmitarë të mrekullive të saj.
Shumë kohë përpara se Kisha Katolike ta shpallte shenjtore, Zhan d'Ark kishte arritur një staturë mitike, duke frymëzuar vepra të shumta arti dhe letërsie gjatë shekujve. Shkrimtarë dhe mendimtarë të mëdhenj si Shekspiri, Volteri, Mishele (Michelet), Shileri (Schiller), Mark Tuein (Mark Twain), Anatol Frans (Anatole France), George Bernard Shaw dhe shumë të tjerë, gdhendën heroizmin dhe fatin e saj tragjik me mjeshtërinë e shpirtit të tyre krijues, duke e pavdekësuar dhe ngritur atë në qiell më lart se çdo dekret apo kanonizim kishtar.
Në vitin 1909, Zhan d'Ark u lumturua në katedralen e famshme Notre-Dame në Paris nga Papa Piu X, ndërsa në vitin 1920, Papa Benedikti XV e shpalli atë martire dhe shenjtore. Sot, një statujë e ngritur në katedralen e saj dëshmon trashëgiminë e përjetshme të vajzës që përfundimisht u bë shenjtorja mbrojtëse e Francës.
Përgatiti: Albert Vataj


