Kërkesa për përsëritjen e finales së Kupës së Botës, Argjentina kundërpërgjigjet me qindra mijëra firma

Më shumë se 200,000 tifozë francezë nënshkruan një peticion ku kërkonin përsëritjen e finales së Kupës së Botës për shkak të pretendimeve për gabime të gjyqtarit Szymon Marciniak, reagimi i argjentinasve nuk vonoi dhe erdhi në mënyrë epike.
Tifozët e “Albiceleste” iu përgjigjën ankesave të francezëve duke krijuar peticionin e tyre në platformën Change.org, të titulluar: “Franca, ndalo së qari” (Francia deja de llorar).
Pse lindi ky kundër-peticion? Mbështetësit e Argjentinës u bezdisën nga pretekstet e vazhdueshme të tifozëve francezë. Francezët pretendonin se penalltia e dhënë mbi Angel Di Marian nuk ekzistonte, se kishte faull te goli i dytë i Argjentinës dhe se goli i tretë i Lionel Messit duhej të anulohej sepse lojtarët zëvendësues kishin hyrë në fushë para se topi të kalonte vijën.
I mërzitur nga këto ankesa, tifozi argjentinas Valentin Gomez nisi peticionin e ri me mesazhin: “Që kur ne fituam finalen e Kupës së Botës, francezët nuk kanë rreshtur së qari, duke u ankuar dhe duke mos pranuar se Argjentina është kampione e botës. Kërkesa jonë është që francezët të ndalojnë së qari dhe të pranojnë se Messi është më i miri në historinë e futbollit.”
Peticioni i argjentinasve shpërtheu me shpejtësi në rrjetet sociale, duke grumbulluar qindra mijëra nënshkrime brenda pak orësh dhe duke e kaluar me lehtësi numrin e firmave të mbledhura nga francezët.

