PD dënon bilancin alarmant të dh*nës kundër protestuesve dhe kërkon hetim

PD dënon bilancin alarmant të dh*nës kundër protestuesve dhe

Protesta e sotme e cila nisi që prej orës 08:30 të ditës së sotme, përpara ambienteve të Kuvendit, u shoqërua me tensione e përplasje. Ndërsa në orën 10:00 nisi edhe seanca plenare, protestuesit të pajisur me vezë kanë hedhur vezë drejt  deputetëve.

Ndërkohë policia ka shoqëruar edhe disa persona.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe PD e cila ka dënuar bilancin alarmant të dhunës policore kundër protestuesve dhe kërkon hetim: Rama është çakorduar

Deklaratë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, deputetit të PD, Klevis Balliu:

Dhuna ndaj shqiptarëve që protestojnë, sipas një të drejte universale që ua jep Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare, është dëshmi e qartë se Edi Rama, i rrethuar dhe çakorduar, ka lënë propagandën dhe ka kapur shkopin e gomës, gazin lotsjellës dhe mjetet e represionit kundër qytetarëve.

Bilanci i protestës së sotme para Kuvendit është alarmant. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shëndetësore, 17 persona kanë marrë trajtim mjekësor në QSUT dhe në Spitalin Universitar të Traumës. Në QSUT janë paraqitur 10 protestues: 4 janë trajtuar në Urgjencë dhe 3 të tjerë në shërbimin e Toksikologjisë, ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës ka marrë trajtim 1 protestues.

Përtej këtij bilanci, gjatë protestës janë dëshmuar raste ku disa të rinj janë dhunuar nga persona të paidentifikuar, ndërsa qytetarë janë shoqëruar dhe arrestuar për akte simbolike proteste, si hedhja e vezëve. Këto ngjarje kërkojnë hetim të plotë dhe transparent, sepse në një shtet demokratik askush nuk duhet të dhunohet apo të privohet nga liria për shkak të ushtrimit të së drejtës për të protestuar.

Partia Demokratike dënon çdo akt dhune joproporcionale kundër protestuesve dhe rikonfirmon edhe njëherë se e vetmja zgjidhje janë kërkesat e protestës qytetare dhe plotësimi i tyre.

Sjellja e Policisë së Shtetit ngre shqetësime serioze. Në vend që të garantojë rendin dhe të mbrojë qytetarët, ajo vepron si strukturë në mbrojtje të pushtetit politik, duke ushtruar dhunë dhe represion kundër protestuesve.

I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë çdo përdorim të paligjshëm, të pavend dhe disproporcional të forcës, të identifikojë personat e paidentifikuar që ushtruan dhunë ndaj të rinjve, si dhe të verifikojë ligjshmërinë e shoqërimeve dhe arrestimeve të qytetarëve për akte simbolike proteste.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend ku protestuesit dhunohen, arrestohen për një vezë dhe trajtohen si kriminelë, ndërsa hajdutët e parave publike mbrohen me gaz që të mos i kapë një domate.

E gjitha ka vetëm një zgjidhje dhe ajo gjendet te thirrja e protestuesve që po gjëmon në shesh dhe anekënd: Rama, jepe dorëheqjen!

EMISIONET