Infantino drejt revolucionit në FIFA? Plan për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave të Kupës së Botës

Infantino drejt revolucionit në FIFA? Plan për t'u shitur

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po përgatit një projekt ambicioz që mund të ndryshojë mënyrën e administrimit të futbollit botëror, duke hapur derën për investitorët privatë në garat më fitimprurëse të organizatës.

Sipas një raportimi të The Times, Infantino synon të krijojë një kompani të re që do të menaxhojë Kupën e Botës, Kupën e Botës për Klube dhe turnetë kryesorë të futbollit të femrave. Në këtë strukturë të re, investitorëve privatë do t'u ofrohet mundësia të blejnë 20 deri në 30 për qind të aksioneve për disa miliardë dollarë.

Plani parashikon që FIFA të ruajë shumicën e aksioneve, ndërsa rreth 20 për qind do t'u shpërndahen 211 federatave anëtare, të cilat mund t'i mbajnë ose t'i shesin për të siguruar të ardhura shtesë.

Raporti pretendon gjithashtu se Infantino mund të marrë drejtimin e kompanisë së re pas përfundimit të mandatit të tij si president i FIFA-s në vitin 2031.

Projekti ka ngjallur shqetësime në botën e futbollit, pasi kritikët druhen se ndikimi i investitorëve privatë mund të çojë në zgjerimin e mëtejshëm të Kupës së Botës, zhvillimin e saj më shpesh ose marrjen e vendimeve bazuar më shumë në interesa financiare sesa sportive.

Deri më tani, FIFA nuk ka komentuar mbi raportimet, ndërsa negociatat me investitorë potencialë thuhet se kanë nisur në fazë paraprake.

EMISIONET