De la Fuente: Versioni më i mirë i Lamine Yamal ende nuk është parë

De la Fuente: Versioni më i mirë i Lamine Yamal ende nuk

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, beson se Lamine Yamal ende nuk ka shfaqur potencialin e tij maksimal në Kupën e Botës 2026, ndërsa pret që sulmuesi i ri të jetë vendimtar në fazën më të rëndësishme të turneut.

Në konferencën për shtyp, një ditë para çerekfinales ndaj Belgjikës në Los Anxhelos, tekniku spanjoll u shpreh se futbollisti 18-vjeçar po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë, pasi e nisi turneun me probleme fizike.

“Në aspektin ofensiv, versioni më i mirë i Lamine Yamal është ende për t’u parë. Ai nuk ka arritur ende nivelin e jashtëzakonshëm me të cilin jemi mësuar”, deklaroi De la Fuente.

Yamal ka realizuar deri tani vetëm një gol, në fitoren 4-0 ndaj Arabisë Saudite në fazën e parë të turneut, por trajneri vlerësoi edhe kontributin e tij në fazën mbrojtëse.

“Në ndeshjen ndaj Portugalisë iu desh të punonte shumë në mbrojtje përballë një kundërshtari të fortë si Nuno Mendes. Ai tregoi pjekuri të madhe dhe kjo është pjesë e procesit të tij të rritjes si futbollist”, theksoi ai.

I pyetur për Francën, e cila mund të jetë kundërshtare e Spanjës në gjysmëfinale pas fitores 2-0 ndaj Marokut, De la Fuente pranoi se e kishte ndjekur atë takim.

“Franca ishte superiore dhe tregoi të gjithë potencialin e saj. Megjithatë, prioriteti ynë është Belgjika, një skuadër shumë cilësore me futbollistë të mësuar të fitojnë trofe. Kjo do të jetë ndeshja jonë më e vështirë deri tani”, u shpreh ai.

Spanja mbetet një nga ekipet më të forta të këtij Botërori edhe në aspektin mbrojtës, pasi ende nuk ka pësuar asnjë gol në turne. Trajneri 65-vjeçar theksoi se ekipi i tij ka ruajtur gjithmonë ekuilibrin, por kërkon më shumë saktësi në fazën sulmuese.

“Kemi qenë gjithmonë një skuadër shumë solide në mbrojtje. Jemi të organizuar, të balancuar dhe kemi aftësinë të krijojmë raste për gol. Tani duhet të jemi më të saktë në finalizim”, përfundoi De la Fuente.

EMISIONET