U g*dit nga vinçi/ Humb jetën punëtori 26-vjeçar në Prizren

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen Arbana të Prizrenit, ku një punëtor 26-vjeçar ka humbur jetën gjatë orarit të punës.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur gjatë procesit të betonimit në një kantier ndërtimi, kur viktima, e identifikuar si Valmir Morina, është goditur nga një pjesë e vinçit. Si pasojë e plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Rreth orës 09:00, policia ka pranuar informatën se një person pa shenja jete ishte dërguar në emergjencën e lagjes Arbana. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në spital për të nisur hetimet.
Sipas deklaratës së Policisë së Kosovës, bazuar në dëshmitë e para, dyshohet se gjatë punës në objekt, një pjesë e pajisjes së vinçit e ka goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime fatale.
Valmir Morina, rreth 26 vjeç nga Drenoci i Malishevës, raportohet se ishte djali i vetëm i familjes dhe mbante barrën e saj ekonomike pas humbjes së babait disa vite më parë.
Policia ka bërë të ditur se po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit në vendin e punës.
