Britania dënon gjuhën e ministres serbe Paunoviq: Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës janë të papranueshme

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me Kosovën, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të rrezikshme për stabilitetin në rajon.
Përmes një deklarate të publikuar nga Ambasada britanike në Kosovë, zëdhënësi i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar tha se referencat për spastrimin etnik të Kosovës nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.
“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklaratë.
Londra zyrtare vlerësoi se deklarata të tilla rrezikojnë të rikthejnë ndasitë e së kaluarës dhe të rrisin tensionet në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajoni synon paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë multietnike.
“Deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë këtë gjuhë qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, u shpreh zëdhënësi britanik.
Mbretëria e Bashkuar mirëpriti gjithashtu distancimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga deklaratat e ministres Paunoviq, duke kërkuar që retorikat që cenojnë paqen dhe stabilitetin të mos kenë hapësirë në diskursin politik të rajonit.


