Pse po fashitet protesta në kryeqytet? Andoni: Ja gabimi fatal që po i jep fitoren qeverisë

Protesta që po zhvillohet në kryeqytet duket se po humbet fuqinë e saj ditë pas dite. Vëzhguesit dhe analistët theksojnë se lëvizja qytetare po përballet me një mungesë të thellë unifikimi, ku grupet e ndryshme të mbledhura në shesh nuk po arrijnë të bëhen bashkë për një qëllim të vetëm.
Kohëzgjatja e protestës, e cila fillimisht u pa si një shenjë qëndrese, tashmë po konsiderohet gjerësisht si një devijim i rrezikshëm nga objektivi fillestar.
Një nga detajet më shqetësuese të evidentuara kohët e fundit është qasja e re e disa protestuesve ndaj mediave. Edhe pse ishin pikërisht kamerat dhe mbulimi mediatik ato që e mbajtën këtë lëvizje gjallë, raportohet se sjellja ndaj gazetarëve nuk është më aspak dashamirëse.
Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte analisti Ben Andoni, i cili u shpreh se problemet e theksuara me komunikimin e drejtpërdrejtë dhe simbolikën e zgjedhur kanë ushqyer një konfuzion të madh në radhët e qytetarëve, duke e kthyer këtë situatë në një fitore të pastër për qeverinë.
Dalja në sipërfaqe e individëve që qëndrojnë larg moralit thelbësor të tubimit, ka bërë që lëvizja të zbehet e të fashitet gradualisht. Kjo dinamikë e ngadaltë rrudhjeje risjell në vëmendje protestën e mëparshme të iniciuar nga Adriatik Lapaj, e cila pavarësisht se zgjati mbi 150 ditë, përfundoi e zbehur me një numër tejet të kufizuar qytetarësh përpara godinës së Kryeministrisë.
" S'është punë e keqkuptimeve, po në qoftë se keni parë, vetë protesta nuk është më dashamirëse me gazetarët. Dhe ata e thonë që janë kamerat pikërisht dhe mbështetja që i ka bërë media që ata janë të gjallë sot e kësaj dite. Por kuptohet, pjesa e simbolikës, e komunikimit të tyre, po dhe e komunikimit direkt ka shumë probleme.
Dhe në këtë sens po ju them që vetë protesta i ka ushqyer këto lloj, të themi konfuzioni, dhe kjo është një fitore për qeverisjen. Sepse po ta keni parë, filluan dalëngadalë domethënë duke u marrë me personazhe të caktuara, dhe pastaj falë dhe pakënaqësisë po, të themi daljes në sipërfaqe të shumë individëve që ishin shumë larg kësaj pjesës morale të protestës, dalëngadalë kjo po fashitet. Ndaj diçka me ju për shembull, që protesta e zotit Lapaj, që u kufizua deri me shumë pak njerëz pastaj para kryeministrisë, në mos gaboj zgjati mbi 150 ditë", u shpreh Andoni.
Ndiqni intervistën e plotë:

