GJKKO pushon çështjen për ish-kreun e Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri
Gjyqtari Paulin Çera pranon kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj dhe bindet se Jonaid Myzyri nuk ka kryer shkelje dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale. Pasi GJKKO i la afat SPAK 45 ditë, për të këqyrur një akt ekspertim, i cili do të bëhej me ekspertë të licencuar, Prokuroria e Posaçme sërish doli në konkluzionin se Myzyri nuk ka kryer asnjë shkelje, duke i qëndruar pretendimet të mëparshëm. Këtë e vërtetoi edhe akt ekspertimi që u krye nga ekspertët e caktuar nga ana e GJKKO
Prokurori Gokaj në kërkesën për pushim, tha se janë ezauruar të gjitha fazat hetimore dhe nuk është konstatuar kryerja e veprës penale “shkelje e barazisë në tendera” nga ana e Myzyrit dhe ish vartësve të tij.
Përveç Myzyrit, SPAK kërkoi pushimin e çështjes edhe për Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, kërkesë që u miratua nga gjykata. Jonaid Myzyri u hetua për një periudhë dy vjeçare nga organi i akuzës nën dyshimet se institucioni i drejtuar prej tij ka kryer shkelje në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.
SPAK pretendoi fillimisht se KPP në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin me dokumente false. Në këtë proces pati ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i skualifikuar nga komisioni me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale.
Pavarësisht dyshimeve paraprake të prokurorisë, në fund të hetimeve u konstatua se Jonaid Myzyri nuk ka kryer shkelje gjatë kohësh që drejtori Komisionin e Prokurorimit Publik
