"4.2 milionë euro për koncert privat"/ Xhixho thekson mungesën në QSUT: Ndërsa pacientët paguajnë 800 euro për ilaçet

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur akuza ndaj qeverisë gjatë mbledhjes së Komisionit për Shëndetësinë, duke kundërshtuar financimin me 4.2 milionë euro të një koncerti privat përmes një akti normativ, ndërsa, sipas saj, spitalet publike përballen me mungesa të pajisjeve dhe ilaçeve jetike.

Xhixho argumentoi se fondet publike duhet të përdoren për nevojat urgjente të sistemit shëndetësor dhe jo për aktivitete që, sipas saj, nuk përbëjnë emergjencë.

"Çohen 4.2 milionë euro për koncert privat. Si mundet në një situatë ku të mungon Pet Scan, brakiterapia, të mungojnë barelat dhe je më i ulti në Europë për numrin e shtretërve? Qytetarët paguajnë 800 euro për lomustinën, nuk ka ilaçe dhe në këtë situatë qeveria çon 4.2 milionë euro me akt normativ në një koncert privat."-tha ajo.

Deputetja tha se akti normativ duhet të përdoret vetëm në raste emergjente, si fatkeqësi natyrore apo situata që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Ajo kërkoi që Komisioni i Shëndetësisë të zhvillojë një dëgjesë me ministren e Shëndetësisë, drejtuesen e QSUT-së dhe institucionet përgjegjëse për të sqaruar mungesat në sistem.

"Kërkoj që këtu të vijë ministrja, drejtuesja e QSUT-së dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për këto mungesa. Ne si Komision Shëndetësie duhet të shqyrtojmë nevojat e sistemit, jo të votojmë akte normative për koncerte private. Këtu flasim për nevoja bazike të qytetarëve, të cilët prej 43 ditësh protestojnë për problemet e tyre. Është për turpin e çdo anëtari të Parlamentit të votojë një akt normativ për këto."-u shpreh deputetja.

Xhixho përmendi mungesën e pajisjeve si Pet Scan, brakiterapia, barelat dhe medikamente të rëndësishme, duke argumentuar se këto janë problemet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe financim nga buxheti i shtetit

EMISIONET