Kozmetikoreksia, trendi i rrezikshëm që po fikson fëmijët pas bukurisë perfekte!

Një trend i ri që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale po shqetëson gjithnjë e më shumë dermatologët dhe psikologët. Quhet kozmetikoreksi dhe përshkruan fiksimin e fëmijëve dhe adoleshentëve me produktet e bukurisë, rutinat e kujdesit për lëkurën dhe kërkimin e një pamjeje “perfekte” që në moshë shumë të hershme.
Një nga shembujt më të njohur është 13-vjeçarja Ellie-May, e cila ka grumbulluar më shumë se 330 mijë ndjekës në TikTok duke ndarë rutinat e saj të kujdesit për lëkurën dhe videot e grimit. Nëna e saj, Sophie, ka deklaruar për BBC se aktiviteti i vajzës në rrjetet sociale sjell mbi 50 mijë paund të ardhura në vit.
Por ndërsa suksesi i saj online mund të duket mbresëlënës, ekspertët paralajmërojnë se fenomeni po krijon probleme serioze për shëndetin fizik dhe emocional të fëmijëve.
Fenomeni lidhet ngushtë me trendin e njohur si “Sephora Kids”, ku paraadoleshentët dhe adoleshentët shpenzojnë shuma të konsiderueshme për produkte të kujdesit të lëkurës që zakonisht janë krijuar për të rriturit. Dermatologia britanike Dr. Jean Ayer, tregon se po sheh gjithnjë e më shumë fëmijë që përdorin serume, tonikë, pastrues dhe produkte kundër plakjes.

