Kinemaja botërore humbet një ikonë/ Ndahet nga jeta Sam Neill, ylli i “Jurassic Park”

Kinemaja botërore është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit australian Sam Neill, i njohur në mbarë botën për rolin e paleontologut Alan Grant në filmin ikonë “Jurassic Park”. Aktori u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare në Sydney, Australi.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë zyrtare të aktorit në Instagram.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, ndërsa Neill kishte treguar më herët se ishte diagnostikuar në vitin 2022 me limfomë angioimunoblastike të qelizave T, një formë e rrallë e kancerit të gjakut.
Familja bëri të ditur se aktori u nda nga jeta i rrethuar nga njerëzit e tij të afërt dhe me dinjitetin që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Sipas tyre, Sam Neill kishte arritur të mposhtte sëmundjen dhe në momentet e fundit nuk kishte më shenja kanceri.
Neill la pas një karrierë të gjatë në kinematografi, me role në dhjetëra filma dhe seriale televizive. Për publikun ndërkombëtar ai mbetet i paharrueshëm si doktor Alan Grant në “Jurassic Park”, por ai spikati edhe në produksione të tjera të njohura si “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “Event Horizon” dhe “Hunt for the Wilderpeople”.
Aktori fitoi vëmendje të madhe që në vitin 1979 me filmin “My Brilliant Career”, ndërsa më pas u bë pjesë e projekteve të rëndësishme të kinemasë botërore, duke ndërtuar një emër të respektuar për interpretimet e tij.
Përveç filmave, Sam Neill pati sukses edhe në televizion, ku u shfaq në seriale të njohura si “Peaky Blinders”, ku interpretoi Major Chester Campbell, si dhe në “The Tudors”, “The Simpsons”, “Merlin” dhe “Alcatraz”.
Me largimin e tij, bota e filmit humbet një aktor me një karrierë të pasur dhe një figurë që la gjurmë në disa prej produksioneve më të njohura të dekadave të fundit.


