Mark Marku zbulon prapaskenën e rinisë në diktaturë: Kush thotë se ishte disident në gjimnaz, është hipokrit
Një miqësi e nisur në vitin 1983 në dhomat e konviktit të një shkolle të mesme u kthye në një rrëfim për një brez të tërë që përjetoi ndryshimet më të mëdha shoqërore dhe politike të Shqipërisë.
Shkrimtari dhe studiuesi Mark Marku ishte i ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, ku së bashku me moderatorin solli kujtime nga vitet e rinisë, periudha e gjimnazit dhe mënyra se si të rinjtë e asaj kohe e përjetonin jetën gjatë regjimit komunist.
Biseda nisi nga një miqësi mbi katër dekada, e krijuar në vitet e gjimnazit, e cila sipas Markut ka mbetur e pandryshuar pavarësisht rrugëve të ndryshme që secili ka ndjekur më pas.
Ai e përshkroi atë periudhë si një fazë të veçantë të jetës, ku kujtimet mbeten të forta dhe lidhjet njerëzore nuk varen nga pozita apo bindjet e mëvonshme.
“Këto kujtime nuk harrohen kurrë, nuk ndryshojnë kurrë, ndërkohë që ne kemi ndryshuar. Në këto vite kemi jetuar një periudhë shumë intensive, sikur të kishim jetuar 300 vjet”, u shpreh Marku.
Duke folur për vitet e komunizmit, Marku u ndal te mënyra se si të rinjtë e asaj kohe e perceptonin realitetin përreth tyre. Sipas tij, në moshën e gjimnazit ata nuk kishin një analizë të thellë politike të sistemit ku jetonin, por përjetonin jetën me spontanitetin e moshës.
“Kush thotë sot se ka qenë disident në moshë të re, mendoj që është hipokrit. Ne jetonim jetën ashtu siç ishte, pa një gjykim të thellë, sepse mosha ishte e tillë. Për ne çdo moment ishte i bukur, ishte një lloj feste e përditshme”, tha Marku.
Ai solli në vëmendje edhe aktivitetet që zhvilloheshin në shkolla, nga mbrëmjet argëtuese deri te veprimtaritë letrare, duke treguar se pavarësisht kufizimeve të kohës, të rinjtë gjenin mënyra për të krijuar hapësira shoqërimi dhe krijimtarie.
“Bënim aktivitete të shumta, mbrëmje, argëtim, dëfrim, tema letrare dhe gjithçka tjetër. Kishte një jetë sociale që zhvillohej brenda atij realiteti”, u shpreh ai.
Rrëfimi i Mark Markut solli një këndvështrim mbi një brez që kaloi nga sistemi komunist në tranzicionin e gjatë shqiptar, duke mbajtur me vete kujtime të një periudhe ku ndryshimet historike ndodhën me ritme të jashtëzakonshme.



