A jemi në pikën e moskthimit? Nga hijet e Platonit te ekrani i smartfonit, nga papirusi te drita blu, shndërrimi që po na kthen në shpellë

Sot, nën sundimin absolut të algoritmit, materialet video po dominojnë komunikimin human, duke e shndërruar vëmendjen tonë në një monedhë që konsumohet sekondë pas sekonde. Në këtë vrapim të shfrenuar drejt pamjeve që zëvendësojnë njëra-tjetrën, po harrojmë të bëjmë dy nga veprimet më zanafillore të qytetërimit, të shkruajmë dhe të lexojmë. Përmes kësaj harrese, po këputim fillin e padukshëm që na mban të lidhur me veten dhe me botën.
Ky dominim i imazhit sipërfaqësor nuk po e thjeshton kuptimin apo zgjidhjen e problemeve tona ekzistenciale. Përkundrazi, ai po gjymton aftësinë tonë për të mbetur pjesë e një mekanizmi organik memorieje që ka funksionuar për mijëra vjet.
Njeriu ka mbijetuar duke lënë gjurmë. Ne jemi produkt i një vazhdimësie që nisi me vizatimet kodike në shpellat e errëta, vazhdoi me gërvishtjet e para të mendimit mbi argjilin e njomë, u shtri mbi papiruset e lashta dhe gjeti përjetësinë te fjala e shtypur në letër.
Kur njeriu braktis leximin, ai nuk humb thjesht një zakon, por humb laboratorin ku kultivohet mendimi kritik dhe imagjinata. Videoja e gatshme, e servirur nga algoritmi, e ushqen trurin me një produkt të përtypur paraprakisht. Ajo nuk kërkon sforcim intelektual, nuk lë hapësirë për pauzë, meditim apo dyshim.
Duke harruar shkrimin, ne po humbim aftësinë për të strukturuar kaosin tonë të brendshëm. Shkrimi është procesi ku mendimi merr formë, ku njeriu përballet me ndërgjegjen e tij dhe ku ngrihet ura e komunikimit të thellë me tjetrin.
Nga epoka e lashtë e deri më sot, kalimi nga shpella te letra nuk ishte thjesht evolucion teknologjik, por një akt mbijetese shpirtërore. Letra dhe fjala e shkruar kërkojnë kohë dhe vëmendje, dy elemente që algoritmi i sotëm përpiqet t'i asgjësojë përmes kulturës së "scrolling-ut" të pafundëm.
Nëse lejojmë që ky mekanizëm mijëvjeçar të fiket, rrezikojmë të kthehemi në analfabetë funksionet të një epoke hiper-teknologjike. Do të kemi pajisje që mendojnë më shpejt, por njerëz që ndjejnë dhe reflektojnë më pak. Ruajtja e kontaktit me librin, me fletën e shkruar dhe me fjalën që kërkon peshë, nuk është thjesht një nostalgji romantike, është akti më i lartë i rezistencës për të shpëtuar humanitetin tonë.
Nëse ka një metaforë që zbërthen me saktësi kirurgjikale marrëdhënien tonë me algoritmin, ajo është Alegoria e Shpellës e Platonit. Filozofi i lashtë imagjinonte njerëz të prangosur brenda një shpelle të errët, të dënuar të shihnin vetëm hijet e projektuara mbi mur, duke i marrë ato hije për të vetmen të vërtetë ekzistuese.
Sot, ky parashikim gjenial është bërë realitet dixhital. Ekrani i smartfonit është shpella jonë moderne. Hijet e Platonit janë zëvendësuar nga videot e shkurtra (Reels, TikToks), fragmente të manipuluara, të shpejta dhe sipërfaqësore të një realiteti të gatshëm. Përdoruesi i sotëm, i gozhduar përpara dritës blu, nuk ka më as kohën dhe as vullnetin të kthejë kokën drejt dritës së vërtetë të dijes. Siç do të thoshte filozofi francez Jean Baudrillard, ne nuk po shohim më realitetin, por një stimulator, një kopje pa origjinal, një iluzion të projektuar nga një kod algoritmik që na mban të burgosur me vullnetin tonë të plotë.
Ndryshe nga të parit e një videoje, ku truri është një konsumator pasiv, leximi i fjalës së shkruar është një akt krijimi neurobiologjik. Kur lexojmë, truri ynë nuk merr thjesht informacion, ai aktivizon atë që neuroshkencëtarët e quajnë "rrjeti i rrugëve të leximit" dhe "sistemi i reflekseve të pasqyrimit".
Shkencëtarja e njohur e trurit, Maryanne Wolf, në studimet e saj mbi trurin që lexon, shpjegon se leximi i thellë aktivizon të njëjtat zona kortikale që do të aktivizoheshin nëse ne do t'i përjetonim realisht ato ngjarje. Kur lexojmë për vuajtjen, dashurinë apo dilemat e një personazhi, truri ynë bën një simulim të plotë emocional. Ky proces zhvillon atë që quhet empati njohëse, aftësia për t'u futur nën lëkurën e tjetrit.
Çfarë ndodh me videot e shpejta? Ato e bombardojnë trurin me doza të rrufeshme dopamine. Ky stimulim i vazhdueshëm vizual nuk lejon formimin e mendimit asociativ. Truri nuk ka kohë të ndërtojë ura emocionale, ai thjesht reagon ndaj dritës dhe lëvizjes. Si pasojë, kapaciteti ynë për empati të thellë po zbehet, duke u zëvendësuar nga një lloj apatie ose "shurdhimi emocional", ku asgjë nuk na bën më përshtypje për më shumë se pesë sekonda.
Këtë krizë të tjetërsimit e kanë parashikuar dhe analizuar disa prej mendimtarëve më të mprehtë të historisë dhe kohës sonë:
Fridrih Niçe shkruante se "shkrimi me makine merr pjesë në formësimin e mendimeve tona", duke kuptuar që herët se mjeti ndryshon mendjen. Nëse do të shihte epokën e videos, ai do të alarmohej nga humbja e asaj që e quante "përtypje e ngadaltë" e mendimit.
Filozofi i madh gjerman Martin Heidegger ngrinte shqetësimin se teknologjia moderne po e zhvesh njeriun nga "mendimi meditues" , duke e lënë atë vetëm me "mendimin kalkulues". Videoja llogarit interesin tënd, libri të fton të meditosh.
Ndërsa shkrimtari dhe eseisti Umberto Eco paralajmëronte me ironi dhe dhimbje se interneti dhe dominimi i imazhit pa filtër po krijonin një "përmbysje kulturore", ku sasia e informacionit po asgjësonte cilësinë e formimit human, duke e kthyer shoqërinë në një masë që "sheh gjithçka, por nuk kupton asgjë".
Kur bashkojmë Platonin me neuroshkencën, kuptojmë se beteja e sotme nuk është thjesht midis librit prej letre dhe ekranit prej xhami. Është një betejë për arkitekturën e vetë ndërgjegjes njerëzore.
Të dalësh nga "Shpella e Algoritmit", të fikësh ekranin dhe të hapësh një libër, do të thotë të rindezësh ato zona të trurit që na bëjnë njerëzorë, aftësinë për të ndjerë dhimbjen e tjetrit, për të menduar përtej të tashmes së menjëhershme dhe për të ruajtur kontaktin me atë mekanizëm mijëvjeçar që nisi nga shpellat, por që synonte gjithmonë yjet, përmes fjalës.
Ajo që po përjetojmë është një progres teknologjik që na tjetërson dhe, njëkohësisht, një regres kulturor që na manipulon.
Në fakt, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, ushqejnë njëra-tjetrën në një rreth vicioz.
Nga pikëpamja teknike, kalimi te algoritmet dhe dominimi i videos është padyshim progres. Kemi arritur në një pikë ku transferimi i informacionit është i rrufeshëm, i aksesueshëm për këdo dhe me një fuqi vizuale të jashtëzakonshme. Por ky progres vjen me një kosto të lartë humane, tjetërsimin.
Shkrimi dhe leximi kërkojnë vetmi, heshtje dhe dialog të brendshëm. Kurse ekrani dhe algoritmi kërkojnë jashtësim, reagim të menjëhershëm dhe zhurmë. Duke mos qëndruar më vetëm me mendimet tona, ne tjetërsohemi nga bota jonë e brendshme.
Ndërsa jemi më të "lidhur" se kurrë përmes rrjeteve, jemi më të izoluar se askush tjetër. Imazhi i shpejtë krijon iluzionin e një afërsie, por asgjëson ndjeshmërinë e thellë dhe empatinë që lind vetëm nga përpjekja për të kuptuar një mendim të strukturuar.
Nga ana tjetër, kjo epokë po prodhon një regres të frikshëm shpirtëror dhe intelektual. Kur njeriu humb aftësinë për të lexuar gjatë, për të analizuar dhe për të pasur një vëmendje të përqendruar, ai kthehet pas në evolucion, jo te shpella si zanafillë e artit, por te shpella si mungesë drite.
Algoritmi nuk është i interesuar për të vërtetën, as për mençurinë tonë, ai ushqehet me impulse. Pasi na e ka gjymtuar aftësinë për të reflektuar, ai na e dritëson ose errëson realitetin sipas interesit të klikimeve. Një masë njerëzish që nuk lexon dot më shumë se tre rreshta është një masë jashtëzakonisht e lehtë për t'u manipuluar, për t'u kontrolluar dhe për t'u orientuar emocionalisht.
Kemi njerëz që dinë të përdorin mjetet më të sofistikuara të inteligjencës artificiale apo smartfonët e fundit, por që nuk arrijnë dot të zbërthejnë kuptimin e një eseje apo të një poezie.
Ne po jetojmë në paradoksin ku mjetet janë të shekullit të XXI, ndërsa vëmendja dhe reagimi kritik po bien në nivele primitive.
Nuk është thjesht progres apo thjesht regres. Është një mutacion antropologjik. Për herë të parë në histori, njeriu po krijon një mjedis, atë dixhital, i cili po e rishkruan trurin dhe ndërgjegjen e tij, duke e zhveshur nga mekanizmat mijëvjeçarë të mbijetesës shpirtërore që rrodhën nga papirusi dhe letra.
Prandaj, akti i të shkruarit dhe të lexuarit sot nuk është më thjesht një zgjedhje kulturore apo një hobi pasditeje. Është një akt i pastër rezistence politike dhe ekzistenciale ndaj një makinerie që kërkon të na shndërrojë në konsumatorë pasivë të hijeve në ekran.
Si mendoni, a ka ende hapësirë që kjo teknologji të përdoret si urë për të rikthyer vëmendjen te thellësia e fjalës, apo e ka kaluar tashmë pikën e moskthimit?
Përgatiti: Albert Vataj



