Çfarë po ndodh me paratë e shqiptarëve? Sejko raporton në Kuvend: Ja situata me euron dhe kreditë

Çfarë po ndodh me paratë e shqiptarëve? Sejko raporton

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka raportuar para komisionit parlamentar mbi zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare për vitin 2025, duke nxjerrë në dritë shifra dhe fakte që prekin drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve. Raportimi theksoi arritjet në uljen e inflacionit, forcimin e pandalshëm të lekut dhe masat e reja shtrënguese për kreditë e shtëpive.

Një nga pikat më të nxehta të diskutimit ishte rënia e vazhdueshme e euros përballë monedhës vendase. Sipas guvernatorit, leku ka njohur një trend të shpejtë forcimi që nga viti 2021, i nxitur fuqishëm nga bum-i turistik, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja. Ky forcim i monedhës kombëtare, ndonëse ka shqetësuar eksportuesit, ka shpëtuar ekonominë nga rritja e çmimeve të importit, duke mbajtur inflacionin në një mesatare prej 2.2% gjatë vitit 2025, një nivel i konsideruar i sigurt dhe nën objektivin prej 3%. Rezervat valutore të vendit gjithashtu kanë kapur një shifër rekord, duke arritur në 7.3 miliardë euro.

Një tjetër e dhënë surprizë vjen nga tregu i kredive. Për herë të parë që nga viti 2008, kreditë me probleme kanë rënë në nivelin historik prej 3.8%. Por teksa bankat po kalojnë një periudhë fitimprurëse dhe të qëndrueshme, Banka e Shqipërisë ka ndezur dritën e kuqe për kreditë e pasurive të paluajtshme. Për të parandaluar krijimin e një flluske në tregun imobiliar, institucioni qendror ka vendosur kufizime të forta: bankat nuk mund të japin më kredi të larta në raport me vlerën e pronës dhe këstet mujore do të kufizohen rreptësisht që të mos rëndojnë tepër mbi të ardhurat e familjeve. Ky rregull do të jetë edhe më i ashpër për kreditë në valutë dhe për blerjet e pronave me qëllim investimi apo qiraje.

Në fund, vëmendje e veçantë u është kushtuar institucioneve financiare jo-banka dhe mikrofinancave. Me rritjen e shpejtë të kredive konsumatore, rregullat janë shtrënguar për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e mundshme dhe për të mbikëqyrur subjektet që paraqesin rrezik në trajtimin e klientëve. Ndërkohë, me një ligj të ri për bankat në prag, Shqipëria po tenton të përafrojë plotësisht sistemin e saj financiar me standardet më të larta rregullatore të Bashkimit Evropian.

PJESË NGA RAPORTIMI I GUVERNATORIT SEJKO NË KUVEND

Të nderuar zoti kryetar, të nderuar deputetë, anëtarë të komisionit, e nderuar kryetare e Komisionit të Ekonomisë. Ju falënderoj që në emër të Bankës së Shqipërisë, më jepni mundësinë të paraqes sot vlerësimin mbi zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe zhvillimet kryesore të institucionit gjatë vitit 2025. Ky raportim i përgjigjet detyrimit tonë institucional për të paraqitur para Kuvendit zbatimin e rekomandimeve të rezolutës së vitit 2025 dhe shpjegon masat e ndërmarra, progresin e arritur dhe rezultatet e ushtrimit të mandatit në shërbim të stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Mbi këtë bazë, raportimi, siç thatë edhe ju, është ndërtuar rreth rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, duke i trajtuar ato me radhë.

Së pari, politika monetare dhe kuadri analitik. Banka e Shqipërisë ka vijuar të forcojë bazën mbi të cilën mbështeten vendimet e politikës monetare. Qëllimi është që vendimet e politikës monetare të mbështeten në të dhëna më të plota, analiza më të thelluara dhe parashikime më të besueshme. Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar procesin e parashikimit makroekonomik. Ajo ka zgjeruar bazën e të dhënave, ka përmirësuar ndërtimin e supozimeve dhe ka përdorur më mirë modelet analitike. Kjo na ka ndihmuar të kuptojmë më qartë burimet e inflacionit, natyrën dhe pasojat e goditjeve të jashtme, si dhe mënyrën se si politika monetare përcillet në ekonomi. Banka e Shqipërisë ka zgjeruar dhe analizat mbi inflacionin bazë, kursin e këmbimit, tregun e punës, pritjet e konsumatorëve dhe kreditimin në kushtet financiare. Këta tregues ndihmojnë për të parë më mirë gjendjen reale të ekonomisë dhe për të shmangur vendimmarrjen mbi bazën e një shifre të vetme. Politika monetare gjatë kësaj periudhe është udhëhequr nga të dhënat dhe nga objektivi ynë kryesor: ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Vendimet tona gjatë vitit 2025 dhe në vazhdim janë bazuar në një lexim të kujdesshëm të inflacionit, rreziqeve, zhvillimeve në tregje dhe ndikimit të normave të interesit te kredia, te konsumi dhe tek investimet. Mesazhi ynë është i qartë: politika monetare ka vepruar me maturi, duke mbështetur stabilitetin e çmimeve, por pa humbur sytë nga ekonomia. Ajo ka qenë një politikë monetare e kujdesshme, fleksibël, e bazuar në të dhëna dhe brenda mandatit tonë ligjor. Për rrjedhojë, inflacioni shënoi një vlerë mesatare prej 2.2% gjatë vitit 2025, duke qenë poshtë, por pranë objektivit tonë prej 3%.

Së dyti, koordinimi me politikën fiskale. Në një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, stabiliteti nuk ndërtohet nga një politikë e vetme. Ai kërkon ndërthurje të kujdesshme midis politikës monetare dhe politikës fiskale. Për Bankën e Shqipërisë, bashkërendimi me politikën fiskale nuk nënkupton përzierje rolesh, por ndarje të qartë përgjegjësish dhe dialog të rregullt. Në këtë frymë, bashkëpunimi me Ministrinë e Financave ka vijuar përmes shkëmbimit të informacionit dhe analizave mbi ndikimin e politikës fiskale në inflacion, rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Ky bashkëpunim është konkretizuar në opinione për projektbuxhetin, analiza për qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe vlerësimin e dobësive fiskale. Ai është pasqyruar dhe në procesin e parashikimit makroekonomik, ku të dhënat buxhetore janë përfshirë në projeksionet e Bankës së Shqipërisë, duke i shërbyer koordinimit më të mirë me politikën monetare. Mesazhi ynë institucional është i thjeshtë: stabiliteti monetar, stabiliteti financiar dhe financat publike të shëndosha ecin bashkë.

Së treti, kursi i këmbimit dhe administrimi i rezervës valutore. Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Vlera e lekut ndaj euros dhe monedhave të tjera përcaktohet nga tregu. Ky regjim e ndihmon ekonominë të përshtatet ndaj goditjeve dhe i lejon politikës monetare të përqendrohet tek stabiliteti i çmimeve. Që prej vitit 2021, leku është në një trend të shpejtë e të vazhduar forcimi ndaj euros. Sipas analizave tona, ky trend është mbështetur nga rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja direkte, të ardhurat nga puna dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Në ekonomi ka hyrë më shumë valutë dhe besimi ndaj lekut është rritur. Forcimi i lekut ka ndihmuar në uljen e inflacionit të importuar, duke bërë të mundur që rritja e çmimeve të ngadalësohet më shpejt dhe me më pak kosto për ekonominë. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valuator kanë qenë të kujdesshme. Ato nuk kanë synuar mbajtjen e kursit të këmbimit në një nivel të caktuar, por zbutjen e lëvizjeve të shpejta dhe shmangien e rreziqeve për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Banka e Shqipërisë mbetet e bindur se fleksibiliteti i kursit të këmbimit është një zgjidhje optimale për stabilitetin e vendit. Paralelisht, rezerva valutore është administruar me kujdes sipas parimeve të sigurisë, të likuiditetit dhe kthimit. Në fund të vitit 2025, rezerva valutore arriti në nivelin e 7.3 miliardë euro, duke forcuar aftësinë e vendit për të përballuar goditjet e jashtme.

Së katërti, stabiliteti financiar dhe mbikëqyrja bankare. Banka e Shqipërisë ka vijuar të ushtrojë mbikëqyrjen e bankave me qasje të bazuar në rrezik. Vëmendja nuk është përqendruar vetëm te zbatimi i kërkesave rregullatore, por dhe tek rreziqet reale që mund të prekin bankat dhe sistemin financiar. Qëllimi është të identifikohen herët dobësitë dhe të kërkohen masa korrigjuese para se ato të kthehen në problem. Një nga rreziqet kryesore mbetet përqendrimi i kredisë. Banka e Shqipërisë ndjek me kujdes ekspozimet ndaj kredimarrësve të mëdhenj, sektorëve të caktuar dhe aftësinë e bankave për t'i mbuluar këto ekspozime me kapital të mjaftueshëm. Në fund të vitit 2025, sektori bankar paraqiti tregues të fortë. Kreditë me probleme zbritën në nivelin e 3.8%, i cili është niveli më i ulët që prej vitit 2008. Kapitali i bankave qëndroi mbi kërkesat rregullatore, likuiditeti ishte i qëndrueshëm dhe sektori rezultoi fitimprurës. Këta tregues konfirmojnë se sistemi bankar ka ruajtur aftësinë për të mbështetur ekonominë me kredi dhe për të përballuar goditjet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë rritjen e kredisë për pasuritë e patundshme, kreditimin në valutë, përqendrimet sektoriale, cilësinë e kolateralit dhe balancën midis afateve të aktiveve dhe detyrimeve të bankave.

Së pesti, kreditimi për pasuritë e paluajtshme. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuritë e paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar. Për këtë arsye, Banka ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, pronat tregtare, ndërtuesit dhe projektet imobiliare. Në maj të 2025-ës, Banka e Shqipërisë miratoi kufij të sipërm për dy tregues kryesorë: madhësinë e kredisë në raport me vlerën e pronës dhe peshën e këstit mujor në raport me të ardhurat e huamarrësit. Me fjalë të thjeshta, bankat nuk mund të japin kredi shumë të larta krahasuar me vlerën e pronës dhe as të lejojnë që kësti mujor i kredisë të rëndojë tepër mbi të ardhurat e familjeve shqiptare. Kufijtë janë më të kujdesshëm për kreditë në valutë dhe për banesat që blihen për investime dhe për qira.

Së gjashti, rreziqet klimatike dhe faktorët mjedisorë, socialë dhe të mirëqeverisjes. Rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe faktorët mjedisorë po përfshihen gradualisht në mbikëqyrjen e sektorit bankar në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Qëllimi është që këto rreziqe të identifikohen dhe të menaxhohen në kohë pasi mund të ndikojnë në aftësinë e huamarrësve për të shlyer kreditë, vlerën e kolateralit dhe qëndrueshmërinë financiare të bankave. Në kuadër të strategjisë sektoriale, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar pritshmëri mbikëqyrëse dhe ka udhëzuar bankat të vlerësojnë përgatitjen për administrimin e rreziqeve klimatike dhe të qëndrueshmërisë.

Së shtati, përafrimi me kuadrin e Bashkimit Evropian. Përafrimi me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian dhe standardet e Bazelit është pjesë e forcimit të sistemit bankar. Përvoja evropiane tregon se stabiliteti bankar kërkon rregulla të qarta, mbikëqyrje të pavarur, mekanizma të besueshëm ndërhyrje në krizë dhe mbrojtje të depozituesve. Mësimi kryesor është i thjeshtë: problemet duhen parandaluar përpara se ato të kthehen në krizë. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë po çon përpara një paketë reformash ligjore. Në qendër të saj është ligji i ri për bankat i cili e afron kuadrin bankar shqiptar me standardet evropiane të mbikëqyrjes, qeverisjes dhe qëndrueshmërisë financiare. Miratimi i këtij ligji do të forcojë arkitekturën rregullatore dhe mbikëqyrëse të sistemit bankar të vendit dhe rolin e Bankës së Shqipërisë si mbikëqyrës i pavarur dhe i besueshëm. Ndër të tjera, reforma përfshin edhe rregulla më të mira për kapitalin, ekspozimet e mëdha, kreditë me probleme, planet e rimëkëmbjes, ndërhyrjen në krizë dhe mbrojtjen e depozituesve. Përafrimi po shtrihet edhe në fushën digjitale, ndërkohë që ne jemi në pritje të vlerësimit përfundimtar të ekuivalencës së mbikëqyrjes nga Autoriteti Bankar Evropian.

Së teti, mbikëqyrja e institucioneve financiare jo-banka. Banka e Shqipërisë ka forcuar mbikëqyrjen ndaj institucioneve financiare jo-banka duke pasur në fokus zbatimin real të rregullave të reja, nxitjen e përmirësimit të cilësisë së kredive dhe mbrojtjen më të mirë të kredimarrësve. Qasja jonë ka qenë dhe është mbështetja në rrezikun që paraqet çdo subjekt, modelin e biznesit dhe ndikimin te klientët dhe stabiliteti financiar. Sektori i jo-bankave përfshin institucione me produkte, klientë dhe nivele të ndryshme rreziku. Për këtë arsye, vëmendja është përqendruar te subjektet me rritje të shpejtë të portofolit, ekspozim të lartë ndaj kredive konsumatore apo të mikrofinancës, përqendrime në produkte ose zona të caktuara, si dhe tek ato ku cilësia e portofolit apo trajtimi i klientëve kërkon kujdes të shtuar.

EMISIONET