Venezuela ende nën pasojat e tërmetit/ Numri i viktimave rritet në 5,208, vijojnë kërkimet në rrënoja

Bilanci i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor është rritur në 5,208 të vdekur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat më të prekura. Katastrofa ka lënë pas mijëra të plagosur dhe dhjetëra mijëra persona pa strehë.
Sipas shifrave të fundit zyrtare të publikuara nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez, numri i viktimave është rritur me rreth 100 persona gjatë 24 orëve të fundit.
Një ditë më parë autoritetet raportuan 5,119 të vdekur dhe 16,740 të plagosur.
Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë shkaktuan dëme të mëdha në pjesën veriore të vendit, veçanërisht në shtetin bregdetar La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende numrin zyrtar të personave të zhdukur.
Kombet e Bashkuara vlerësuan pas katastrofës se ky numër mund të arrinte deri në 50 mijë, ndërsa vlerësime të tjera e vendosin rreth 10 mijë.
Në La Guaira, ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën për nxjerrjen e viktimave nga ndërtesat e shembura.
Ndërkohë, mbi 21 mijë persona kanë mbetur pa banesa dhe janë vendosur në më shumë se 100 kampe të përkohshme. Sipas bilancit zyrtar, 856 ndërtesa kanë pësuar dëmtime, ndërsa 190 prej tyre janë shembur plotësisht.


