Shpetim Qorraj në garën për Asamblenë e Nju Jorkut: Mund të jem një përfaqësues i mirë, që i dëgjon hallet dhe brengat e komunitetit

Më 3 nëntor pritet të mbahen zgjedhjet e rëndësishme për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, të cilat zhvillohen paralelisht me zgjedhjet për guvernator, prokuror të përgjithshëm dhe dhomat e tjera përfaqësuese në Shtetet e Bashkuara. Në këtë garë merr pjesë edhe një kandidat shqiptar, zoti Shpëtim, i cili synon të përfaqësojë distriktin e tij në Staten Island.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “ORA NEWS”, Kandidati për Asamblenë e Nju Jorkut, Shpëtim Qorraj, ndau motivimin e tij kryesor për këtë hap të rëndësishëm: dëshirën për të kontribuar në komunitetin ku jeton dhe ku rrit fëmijët e tij.

Zoti Shpëtim vlerësoi lart komunitetin shqiptar në New York, duke e cilësuar si një komunitet punëtor, të madh në numër dhe shumë të respektuar në çdo aspekt të jetës. Ai premtoi se do të vazhdojë rrugën e atyre që kanë kontribuar para tij, duke e çuar përfaqësimin e shqiptarëve në një nivel më të lartë.

Ndër prioritetet e tij kryesore nëse zgjidhet, ai renditi uljen e kostos së lartë të jetesës, e cila është bërë e papërballueshme për shumë qytetarë, rritjen e sigurisë publike dhe asaj në shkolla, si dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Një avantazh që ai thekson përballë kundërshtarëve është pikërisht përvoja e tij si emigrant dhe si biznesmen, çka i jep atij një kuptim më të thellë të sfidave reale me të cilat përballen qytetarët dhe vlerën e punës e të kontributit në shoqërinë amerikane.

"Po, ajo që the është shumë e vërtetë, pra këto zgjedhje janë zgjedhje qendrore që do mbahen për të gjitha ato pozita. Ndërsa ajo çfarë më motivon është që unë jetoj këtu. Unë kam familjen këtu dhe jetoj këtu në Staten Island, në Nju Jork.

Kam dhe dy fëmijë këtu që shkojnë në shkolla publike dhe arsyeja që jam pjesë e komunitetit, domethënë pjesë e vendit ku jetoj, edhe i shoh gjërat që munden me ndodh më mirë, munden me qenë një përfaqësues më i mirë, që rrjedh nga komuniteti dhe i dëgjon hallet dhe brengat e komunitetit. Kjo ka qenë, mund me thënë, arsyeja e parë pse më ka shtyrë me kandidu për State Assembly.

Komuniteti shqiptar në Nju Jork është një komunitet që punon shumë, është një komunitet që është edhe shumë i madh në numër, por ka dhe respekt shumë të madh. Janë njerëz që punojnë, kontribuojnë në çdo aspekt të jetës edhe është shumë i respektueshëm.

Ndërsa ajo çfarë unë do bëj është, do vazhdoj rrugën e atyre që ishin para meje, mirëpo çdo herë duke u munduar me i avancuar pak më shumë... në këtë rast vetëm po edhe popullin shqiptar në përgjithësi, a e kupton? Është një nder me qenë përfaqësues i një komuniteti që është shumë divers këtu në Staten Island, por në të njëjtën kohë e kuptoj është edhe përgjegjësi e madhe.

Pra, atë përgjegjësi do mundohemi me i zbatu në formën më të mirë të mundshme që me i bë krenarë çdo shqiptar nga do që ndodhet."-u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET