Sevastopoli mbetet pa energji pas sulmeve ukrainase në Krime, goditet infrastruktura elektrike

Sevastopoli mbetet pa energji pas sulmeve ukrainase në Krime, goditet

Qyteti më i madh i Krimesë, Sevastopol, ka mbetur pa energji elektrike pas një sulmi ajror ukrainas që ka goditur infrastrukturën energjetike në gadishullin e pushtuar nga Rusia, kanë njoftuar autoritetet e instaluara nga Moska.

Guvernatori i emëruar nga Rusia, Mikhail Razvozhayev, tha se dronët ukrainas kanë goditur një nënstacion kryesor elektrik gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të furnizimit me energji. Sipas tij, disa zona mund të mbeten pa energji deri të mërkurën në mbrëmje.

Ukraina konfirmon se forcat e saj kanë kryer sulmin, duke thënë se objektivi ka qenë infrastruktura energjetike e përdorur nga forcat ruse në Krime.

Autoritetet lokale kanë vendosur masa emergjente në rrjetin energjetik dhe u kanë bërë thirrje banorëve të kursejnë energjinë, përfshirë përdorimin e kufizuar të telefonave dhe pajisjeve elektrike. Banorëve u është kërkuar gjithashtu të kontrollojnë fqinjët e moshuar, në kushtet e temperaturave që arrijnë rreth 30°C.

Sipas burimeve ushtarake ukrainase, dronët kanë goditur disa objektiva në rajon, përfshirë edhe zona ushtarake dhe infrastruktura të tjera në Krime, si Bakhchisarai, Kerç dhe zonën e malit Ai-Petri.

Sulmet kanë përkeqësuar situatën e furnizimit në gadishull, ku tashmë raportohet mungesë karburanti dhe kufizime në shitje, ndërsa autoritetet kanë pezulluar pjesërisht furnizimin për qytetarët.

Krimea, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, mbetet një nga zonat më të ndjeshme të konfliktit, me Ukrainën që ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës strategjike në territoret e kontrolluara nga Rusia.

EMISIONET