Izraeli shqyrton idenë e pazakontë/ Krokodilë rreth burgjeve të sigurisë së lartë për të ndaluar arratisjet

Izraeli po shqyrton një projekt të pazakontë për forcimin e sigurisë në burgjet e nivelit të lartë, duke propozuar përdorimin e kanaleve me krokodilë rreth objekteve ku mbahen të burgosur palestinezë.
Ideja është propozuar nga ministri i Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, i cili e ka krahasuar me një lloj “Alcatrazi me aligatorë”, duke iu referuar një nisme të ngjashme të promovuar më herët në Shtetet e Bashkuara.
Projekti fillimisht u pengua nga kundërshtimet e organizatave për mbrojtjen e kafshëve, të cilat argumentuan se zhvendosja e krokodilëve nga habitatet e tyre natyrore do të përbënte rrezik për mirëqenien e tyre.
Megjithatë, ministrja izraelite e Mjedisit, Idit Silman, ka riklasifikuar krokodilin e Nilit si një “kafshë të zbutshme”, duke hapur mundësinë që këto kafshë të përdoren si një shtresë shtesë sigurie pranë burgjeve.
Sipas raportimeve, një nga objektet ku mund të zbatohet kjo ide është burgu i sigurisë së lartë Ketziot, në jug të Izraelit.
Propozimi ka shkaktuar reagime dhe debate, jo vetëm për aspektin etik ndaj kafshëve, por edhe për natyrën e masës së propozuar për mbrojtjen e institucioneve të vuajtjes së dënimit.


