BE-ja pret zyrtarët talebanë në Bruksel, për herë të parë që nga marrja e pushtetit

Komisioni Evropian priti sot në Bruksel, përfaqësues të talebanëve, për herë të parë që nga rikthimi i grupit në pushtet, në Afganistan, pesë vite më parë, me bisedimet që u fokusuan kryesisht në deportimin e shtetasve afganë nga Bashkimi Evropian.
Takimi, i cilësuar nga Komisioni Evropian si “teknik” dhe kishte për qëllim lehtësimin e kthimit të shtetasve afganë, që kanë kryer vepra të rënda penale, ose që konsiderohen rrezik për sigurinë, thanë zyrtarët.
Ministria e Jashtme e Afganistanit e përshkroi vizitën si një “takim historik” dhe tha se palët kishin zhvilluar “bisedime produktive”.
Sipas saj, në qendër të diskutimeve ishte rifillimi i shërbimeve konsullore për afganët, që jetojnë në Evropë.
Në maj, krahu ekzekutiv i BE-së ftoi përfaqësues afganë në Bruksel, pas kërkesës së 20 vendeve të BE-së dhe zonës Shengen, për koordinim mbi deportimet drejt Afganistanit.
Sipas Komisionit, në bisedime morën pjesë edhe përfaqësues nga 15 shtete anëtare.
Ky takim pasoi një raund të parë diskutimesh mes talebanëve dhe zyrtarëve të BE-së, në Kabul në janar.
Deportimet drejt Afganistanit mbeten shumë të debatueshme, që nga marrja e pushtetit nga talebanët në vitin 2021.
Grupi është i izoluar ndërkombëtarisht, për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimet ndaj grave dhe vajzave, arrestimet arbitrare, akuzat për torturë dhe kufizime të rënda të lirisë së shtypit.
Në maj, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, shprehu shqetësim për planet e disa vendeve evropiane për të rritur deportimet, duke paralajmëruar se ato mund të dobësojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të rrezikojnë jetën e njerëzve.
BE thekson se bisedimet nuk nënkuptojnë njohje politike të talebanëve
Komisioni theksoi se këto bisedime nuk përbëjnë njohje politike të talebanëve, të cilët BE-ja nuk i konsideron qeveri legjitime të Afganistanit, dhe se takimet zhvillohen në nivel teknik, jo politik.
Një takim i tillë në territor evropian konsiderohet shumë i ndjeshëm, ndërsa kritikët paralajmërojnë se talebanët, mund ta paraqesin atë, si një fitore diplomatike.
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, u shpreh kundër ftesës së përfaqësuesve talebanë në Bruksel, megjithatë Belgjika lëshoi pesë viza njëditore si vend pritës i institucioneve të BE-së.
Raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan, Richard Bennett, deklaroi se një takim i tillë në Bruksel “do të ishte fyerje për afganët, veçanërisht për gratë”.
Shtetet evropiane nxisin për më shumë kthime
Vendet që kërkuan bisedimet – përfshirë Gjermaninë, Suedinë dhe Italinë – deklaruan vitin e kaluar se vetëm rreth 2% e afganëve në BE, që morën urdhra kthimi në vitin 2024 janë deportuar realisht.
Gjermania po zgjeron kontaktet teknike me talebanët dhe ka konfirmuar këtë javë, se deri në katër diplomatë të tjerë talebanë, do të lejohen në vend, për verifikimin e identitetit dhe lëshimin e dokumenteve të udhëtimit.
Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, përsëriti fundjavën se Berlini synon rritjen e deportimeve drejt Afganistanit, me mundësi deri në tre fluturime çarter në muaj.
Edhe Austria dhe Norvegjia kanë zhvilluar më herët bisedime teknike me talebanët, në këtë drejtim.


