Vapa dhe rreziqet kardiake, mjeku Indrit Temali: Pse qëndrimi në hije nuk ju shpëton nga infarkti

Temperaturat ekstreme nuk janë thjesht një shqetësim i ditëve të verës, por një kërcënim i heshtur dhe me pasoja fatale për shëndetin kardiovaskular.
Të dhënat mjekësore të bëra publike nga mjeku kardiolog Indrit Temali gjatë një interviste pë "Ora News" konfirmojnë se i nxehti i tepërt sjell një rritje të frikshme të vdekshmërisë, duke e kthyer trupin e njeriut në një fushëbetejë të vërtetë për mbijetesë.
Kur organizmi përballet me temperatura të larta, ai aktivizon mekanizmat e ftohjes duke zgjeruar enët e gjakut në lëkurë. Ky proçes e detyron zemrën të stërmundohet për të pompuar më shumë gjak në periferi.
Ndërkohë, djersitja masive shkakton humbje të madhe lëngjesh. Nëse ky dehidrim nuk kompensohet, tha mjeku, gjaku fillon të trashet duke krijuar një ambient perfekt për mpiksje dhe tromboza.
Ky rrezik bëhet një bombë me sahat për personat që vuajnë nga zemra, por nuk kursen as të rinjtë apo atletët e shëndetshëm që nuk hidratohen siç duhet.
Një nga mitet më të rrezikshme është bindja se qëndrimi në hije ofron mbrojtje absolute. Mjeku Indrit Temali theksoi se nëse temperatura e ambientit mbetet e lartë, trupi vazhdon të luftojë njëlloj për t'u ftohur.
Edhe në hije, humbja e lëngjeve dhe rritja e rrahjeve të zemrës mund të çojnë në rënie të rrezikshme të tensionit, infarkte, apo goditje ishemike në tru.
Njohja e shenjave paralajmëruese, tha ai, është jetike. Rrahjet e shpejta dhe të çrregullta të zemrës, ndjesia e të fikëtit, këputja, dhimbja e gjoksit apo marrja e frymës janë sinjale alarmi që tregojnë se sistemi kardiovaskular po dorëzohet.
Përballë këtyre simptomave, çdo minutë vlen, ndaj drejtimi i menjëhershëm në urgjencën mjekësore është i vetmi hap që mund të shmangë një tragjedi.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME MJEKUN INDRIT TEMALI


