BE g*det Rusinë me paketën e re të sanksioneve/ Në shënjestër dronët Garpiya dhe rivali i Starlink-ut, Rassvet

Evropian ka miratuar paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke vendosur në shënjestër dhjetëra kompani dhe individë të lidhur me industrinë ushtarake që mbështet makinën e luftës së Kremlinit.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri të ditur se masat e reja prekin mbi 50 subjekte të sektorit ushtarako-industrial rus, përfshirë aktorë të përfshirë në prodhimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi.
“Rusia do të negociojë për t’i dhënë fund luftës së saj të paligjshme vetëm nëse i bëhet presion. Sanksionet i shtohen këtij presioni”, deklaroi Kallas.
Fokusi kryesor i paketës së re janë dronët sulmues rusë Garpiya/Garpiya-A1, për të cilët BE-ja ka goditur të gjithë rrjetin e prodhimit dhe furnizimit. Në listën e sanksioneve janë përfshirë 37 subjekte të lidhura me prodhimin e pjesëve të nevojshme për këto armë, përfshirë koka raketash, shtytës dhe pajisje të tjera ushtarake.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm i masave evropiane është sistemi satelitor rus Rassvet, i zhvilluar si alternativë ndaj Starlink-ut të Elon Musk. Projekti, i menaxhuar nga kompania ruse Bureau 1440, synon të krijojë një rrjet satelitor për internet me shpejtësi të lartë.
Ekspertët vlerësojnë se goditja ndaj industrisë së dronëve rusë është një hap i rëndësishëm, por paralajmërojnë se Moska disponon ende një numër të madh sistemesh të tjera pa pilot.
Sipas BE-së, masat e reja synojnë të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të prodhuar armë moderne dhe teknologji ushtarake, duke rritur presionin ndaj Kremlinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.



