VIDEO/ Me çekiç në dorë thyen xhamat, shkallmon derën dhe vjedh marketin. Por 15-vjeçarit s’i del koha për të “festuar”
Një 15-vjeçar është arrestuar nga Policia e Krujës, pasi dyshohet se ka vjedhur gjatë natës një market në qytet. Ngjarja është zbuluar pas verifikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, ku i mituri shfaqet duke përdorur një çekiç për të thyer xhamat e ambientit tregtar.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës, ndërsa pas marrjes së informacionit janë kryer veprimet hetimore për identifikimin e autorit të dyshuar.
Pamjet e sigurisë kanë ndihmuar në zbardhjen e mënyrës se si është kryer vjedhja, ku 15-vjeçari ka hyrë në market pasi ka dëmtuar xhamat me mjet të fortë.
Pas hetimeve paraprake, shërbimet e Policisë së Krujës kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e të miturit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


