Starmer: Mbështetja e Britanisë se Madhe për Ukrainën do të vazhdojë edhe pas largimit tim

Kryeministri britanik në largim, Keir Starmer deklaroi gjatë vizitës së tij të fundit në Kiev se, mbështetja e Britanisë së Madhe për Ukrainën do të jetë e “palëkundur” dhe do të vazhdojë gjithmonë, edhe pas largimit të tij nga detyra.
Starmer mbërriti sot në kryeqytetin ukrainas, ku u takua me presidentin Volodymyr Zelensky.
Të dy liderët nderuan ushtarët ukrainas të rënë në luftë, duke vendosur kurora pranë murit përkujtimor në Kiev.
Zelensky falënderoi Britaninë e Madhe dhe Starmer për respektin e pandërprerë ndaj luftëtarëve ukrainas, që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e Ukrainës dhe të Evropës.
Kjo është vizita ishte e fundit e Starmer si kryeministër, përpara se ai të zëvendësohet nga Andy Burnham, i cili pritet të bëhet lideri i ri i Partisë Laburiste dhe më pas kryeministër.
Ai do të jetë kryeministri i pestë britanik, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Pak orë para mbërritjes së Starmer në Kiev, qyteti u godit nga sulmet ruse.
Kryebashkiaku Vitali Klitschko njoftoi se dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një 16-vjeçar.
Para udhëtimit, Starmer tha se populli ukrainas ka treguar qëndresë të jashtëzakonshme dhe se rezistenca e tij nuk ka mbrojtur vetëm lirinë e Ukrainës, por edhe sigurinë e Evropës.
Ai theksoi se Britania e Madhe ka rritur shpenzimet për mbrojtjen, ka udhëhequr zhvillimin e teknologjive të reja ushtarake dhe ka punuar që Ukraina, të ketë pozicionin më të fortë të mundshëm në luftë.
“Mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën do të vazhdojë gjithmonë”, tha Starmer, duke shtuar se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ukrainën dhe sigurinë evropiane, por edhe për familjet britanike, që kanë ndjerë pasojat ekonomike të luftës.
Gjatë vizitës, Starmer do të diskutojë edhe mënyrat se si aleatët, mund të plotësojnë më tej nevojat ushtarake të Ukrainës.
Britania e Madhe ka nisur gjithashtu furnizimin me 150 tyta artilerie të prodhuara në vend, në kuadër të një kontrate prej 61 milionë paundësh me kompaninë “BAE Systems”.
Këto pjesë do të përdoren për armë të kalibrave 105 dhe 155 milimetra dhe janë prodhuar nga kompania “Sheffield Forgemasters” – hera e parë në gati dy dekada që Britania e Madhe prodhon vetë tyta të tilla artilerie.
Në ditët e fundit të mandatit të tij, Starmer po përpiqet të theksojë trashëgiminë e tij politike, veçanërisht rolin e Britanisë së Madhe në mbështetjen e Ukrainës.
Ai mori pjesë në takimin e “Koalicionit të të Gatshmëve”” në Paris dhe u nderua nga presidenti francez Emmanuel Macron me “Legjionin e Nderit”, për rolin e tij në mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e marrëdhënieve me Evropën.
Gjatë mandatit të Starmer, u nënshkrua edhe një partneritet 100-vjeçar mes Britanisë së Madhe dhe Ukrainës, që synon forcimin e lidhjeve në mbrojtje, tregti dhe fusha të tjera.
Britania e Madhe gjithashtu është bashkuar me një kredi prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën, e cila synon të mbulojë nevojat më urgjente të Kievit për mbrojtje dhe financa gjatë viteve 2026–2027.
Rreth dy të tretat e kësaj shume do të përdoren për shpenzime ushtarake.


