Tragjedia familjare në Roskovec/ Jaupbashi: Nuk fillon me vr*sjen, por me kërc*nimet e para
Xhelozia dhe dëshira patologjike për kontroll shpesh romantizohen nga shoqëria, por në realitet ato janë hapat e parë drejt një fundi tragjik. Ekspertët e psikologjisë japin alarmin se dhuna nuk fillon asnjëherë papritur me akte ekstreme apo vrasje. Ajo nis shumë më herët, me kërcënime, përndjekje, shkelje të kufijve personalë dhe kontroll të detajuar të jetës së partnerit.
Në shumë raste divorci, vihet re se ish-partnerët vazhdojnë të kontrollojnë çdo lëvizje, takim apo edhe veshje të palës tjetër. Këto sjellje, të cilat shpesh justifikohen si "krime pasioni", hidhen poshtë nga specialistët e shëndetit mendor. Sipas tyre, nuk ka asnjë lidhje mes dashurisë dhe dhunës; këto ngjarje janë thjesht krime të injorancës.
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", Psikologia, Sonila Jaupbashi, u shpreh se të romantizosh xhelozinë do të thotë të injorosh faktin se dashuria e vërtetë bazohet te mbështetja, komunikimi dhe miqësia. Një nga sinjalet më të rrezikshme dhe alarmante mbetet shprehja e mirënjohur "nëse nuk je me mua, nuk do jesh me askënd", e përdorur kryesisht nga individë që e konsiderojnë partnerin si pronë të tyren.
Këto janë shenja të qarta, para të cilave bëhet thirrje për largim të menjëhershëm. Secili ka të drejtën e hapësirës personale dhe të vendimmarrjes së pavarur për jetën e tij, pa iu imponuar nga askush. Megjithatë, një problematikë e madhe mbetet mosvlerësimi i saktë i rrezikut, si nga autoritetet përkatëse ashtu edhe nga vetë viktimat.
Ky tolerim është një mesazh i gabuar që i jepet abuzuesit, duke i treguar se viktima mund të durojë edhe më shumë, gjë që shpesh çon në përshkallëzimin e situatës deri në fatalitet.
"Raste të divorcit që kam në studio ku edhe pse janë ndarë, partneri apo ish-partneri vazhdon kontrollon jetën e partneres së tij. Ku shkon, çfarë bën, kë takon, me cilën takohet, çfarë bisedash bën, si është veshur e të tjerë e të tjerë. Kjo nevojë patologjike për të pasur kontroll, e bën një person që të marrë vendime ekstreme ashtu si dhe ai rasti. Edhe një gjë tjetër është përshkallëzimi i dhunës.
Ne jemi bërë shumë, po shumë të dhunshëm... verbalisht, fizikisht, në zgjedhjet që bëjmë, në mënyrën sesi zgjedhim të flasim, po zgjedhim të komunikojmë me një palë, aq më tepër në një palë që është në konflikt. Zakonisht dhuna nuk fillon me vrasjen. Dhuna fillon shumë përpara, shumë herët, kur fillojnë kërcënimet e para, kur fillojnë përshkallëzimet e para të dhunës verbale Shumë gra dhe vajza zgjedhin të heshtin për shkak të stigmës sociale dhe frikës nga pasojat e rënda, duke toleruar dhunën verbale apo qoftë edhe fizike, duke e minimizuar atë me shprehjen "ishte vetëm një shpullë.
Absolutisht po, absolutisht po. Shumë më tepër njerëz kanë filluar ta kuptojnë, të gjitha këto pikat e rëndësishme dhe shkojnë të denoncojnë dhe marrin urdhër mbrojtje. Por pjesa e vlerësimit të rrezikut është një problematikë që në gjykimin tim duhet të rriten kapacitetet për ta kuptuar këtë nga aktorët të cilët u duhet të merren me këto.
Flasim këto ndoshta në polici apo në qendra të tjera që kanë në përshkrimin e tyre të punës dhe vlerësimin e rrezikut në raste të tilla. Ka kërcënim, ka përndjekje, ka shkelje të kufijve dhe kjo në disa raste nuk merret seriozisht. Dhe shikohet si një gjë krejt normale.
Unë e urrej fjalën 'krimi i pasionit'. Si krim i pasionit? Dashuria dhe pasioni nuk ka dhunë, nuk ka vrasje.
Mund të ishte krim i injorancës, jam dakord, por jo krim pasioni sepse kjo në njëfarë mënyre i jep një iluzion të bukur asaj vrasjeje. Që dashuria çon pra dhe kështu... dhe vdekje. Jo, është krim i injorancës."-u shpreh ajo.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE





