RREGULLA TË REJA PËR PLATFORMAT ONLINE/ Reklamat duhet të tregojnë financuesin dhe arsyen e shfaqjes

Platformat online në Shqipëri do të përballen me rregulla të reja.

Në Shqipëri, ligjet për aktivitetet që ofrohen në internet do të përshtaten me DSA, Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian, përmes një projektligji të ri.

Ky draft përmban 61 nene, të cilat do të zëvendësojnë dispozitat aktuale dhe do të përditësojnë kuadrin rregullator.

Risia kryesore lidhet me përmbajtjen dhe reklamat online që u shfaqen përdoruesve shqiptarë. Ato do të kenë detyrimin të japin informacion se përse po shfaqen, kush i financon dhe të ofrohen pa përdorur profilizimin e përdoruesve.

Kjo vjen pasi profilizimi i reklamave bie ndesh me të drejtat e privatësisë së përdoruesve dhe me mbrojtjen nga qasjet e paautorizuara, sipas parimeve të DSA-së.

Edhe mënyra se si algoritmet përzgjedhin videot, lajmet apo produktet që shfaqen në ekran do të duhet të jetë më e kuptueshme dhe më transparente për përdoruesit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është tregtia online.

Tregtarët do të jenë të detyruar të jenë të verifikuar në platforma, të japin informacion të plotë për produktet që ofrojnë dhe të njoftojnë blerësit nëse bëhet fjalë për produkte të parregullta apo të jashtëligjshme.

Projektligji parashikon gjithashtu një mbrojtje më të madhe për të miturit ndaj rreziqeve online dhe përmbajtjeve të papërshtatshme.

Këto ndryshime në kuadrin rregullator do të zbatohen dhe do të menaxhohen nga Koordinatori i Shërbimeve Digjitale, i cili do të koordinojë bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse, si Ministria e Brendshme, MIA, AKEP dhe AKSHI.

EMISIONET