REKORD I PUNËTORËVE TË HUAJ/ Arrin 22.7 mijë shtetas në tregun shqiptar, nga dadot tek inxhinierët
Shqipëria ka shënuar një rekord të ri në punësimin e shtetasve të huaj. Deri më 30 qershor 2026, numri i tyre arriti në 22 mijë e 693, nga rreth 18 mijë që ishte në fund të dhjetorit 2025.
Sipas të dhënave nga Regjistri Elektronik për të Huajt, të analizuara nga “Monitor”, 20 mijë e 332 shtetas janë pajisur me leje unike si punëmarrës, ndërsa 2 mijë e 361 janë regjistruar si të vetëpunësuar.
Listën e punëmarrësve të huaj e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti, të cilët së bashku kanë 10 mijë e 258 leje, ose rreth gjysmën e totalit.
Filipinet numërojnë 3 mijë e 552 të punësuar, India 3 mijë e 423, ndërsa Egjipti 3 mijë e 283.
Më pas renditen Turqia me 1 mijë e 503 leje, Italia me 1 mijë e 306, Shtetet e Bashkuara me 619, Indonezia me 229 dhe Kina me 212.
Punonjësit nga Filipinet dhe India janë përqendruar kryesisht në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në bare dhe restorante, ku punojnë si kamerierë, pastrues dhe kuzhinierë.
Fabrikat e prodhimit kanë punësuar gjithashtu inxhinierë të rinj nga India, ndërsa shtetasit egjiptianë angazhohen më së shumti në sektorët e transportit, blegtorisë dhe agroturizmit.
Punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje, ku shtetaset nga Filipinet punojnë si dado, kujdestare për të moshuarit ose në mirëmbajtjen e banesave.
Ndërkohë, në kategorinë e të vetëpunësuarve kryesojnë shtetasit italianë. Nga 2 mijë e 361 leje, 868 u përkasin italianëve, ose rreth 37 për qind e totalit.
Pas tyre renditen shtetasit nga Kosova me 283 leje, Turqia me 199, Shtetet e Bashkuara me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65.


