VIDEO/ Rama takim me banorët në Zvërnec - Bulevardi në ditën e gjashtë të protestës, mijëra protestues mblidhen para Kryeministrisë
Për të gjashtën ditë radhazi, qytetarë dhe aktivistë protestuan para Kryeministrisë kundër projektit të resortit në Zvërnec. Organizatorët ripërsëritën pesë kërkesat e tyre dhe deklaruan se nuk do të negociojnë me qeverinë për këtë çështje.
Për të gjashtë ditë radhazi, Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile u grumbullun para kryeminsitrisë kundër projektit për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit brohoritën slogane si “Shqipëria e shqiptarëve”, “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Revolucion”.
Gjatë tubimit u bë edhe një thirrje drejtuar diasporës shqiptare për t’iu bashkuar asaj që organizatorët e quajtën një rezistencë mbarëkombëtare kundër politikave që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.
Një nga zërat e protestës ishte aktori Medi Malkaj, i cili mbajti një fjalim para të pranishmëve. Ai kritikoi ashpër klasën politike dhe shprehu kundërshtimin ndaj mënyrës se si, sipas tij, po menaxhohen pasuritë dhe territori i vendit. Malkaj theksoi se Shqipëria u përket qytetarëve dhe se vendimmarrjet për të ardhmen e saj nuk duhet të merren pa konsultim dhe pa mbrojtur interesin kombëtar.
Gjatë protestës u ripërsëritën pesë kërkesat kryesore të paraqitura një ditë më parë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Organizatorët deklaruan se këto kërkesa janë të panegociueshme dhe se nuk do të pranojnë dialog me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Zvërnecit.
Tubimi u zhvillua kryesisht në qetësi, megjithëse pati dy incidente të veçuara, kur dy vajza të mitura u shkëputën nga prindërit mes turmës. Të dyja u gjetën pak minuta më vonë dhe iu kthyen familjarëve pa pasoja.
Protestuesit paralajmëruan vijimin e mobilizimit edhe në ditët e ardhshme, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre për mbrojtjen e Zvërnecit dhe të zonave të mbrojtura.


