VRASJE PËR ORGANIZATË KRIMINALE/ Policia kap në Durrës tre maqedonasit e kërkuar nga Interpol

Policia e Shtetit arrestoi në Durrës tre shtetas nga Maqedonia e Veriut, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Identifikimi i tyre u bë në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Një informacion i mbërritur në Policinë e Shtetit angazhoi forcat operacionale në vëzhgimin e tre shtetasve nga Maqedonia e Veriut, të dyshuar si persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Për verifikimin e identitetit të tyre, agjentët operacionalë bashkëpunuan me partnerët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup.

Në pranga përfunduan Senafi Nuredini, Musa Xhaviti dhe Xhenkiz Rushiti. Verifikimet e mëtejshme zbuluan se për ta, INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një organizate kriminale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në momentin e arrestimit, atyre iu gjetën dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kishin përdorur për t'u larguar nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Aktualisht, tre të arrestuarit po mbahen në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa pritet të dalin para gjykatës. Prokuroria pritet të nisë procedurat për ekstradimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Policia vijon verifikimet për aktivitetin e tyre në Durrës dhe lidhjet e mundshme me veprimtari të tjera kriminale gjatë qëndrimit në Shqipëri.

EMISIONET