ALMA TAFANI “LAN DUART” PAS HELMIMIT/ Ndërpritet aktiviteti i Sori-Al pas skandalit të përsëritur në Akademi
Veprimtaria e kompanisë Sori AL është pezulluar pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, rasti i dytë i dyshuar brenda më pak se dy muajsh. Administratorja Alma Tafani gjatë marrjes në pyetje ka tentuar të largojë përgjegjësite, ndërsa priten analizat për të treguar se cfarë I helmoi policët e rinj.

64 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se u helmuan nga ushqimi për herë të dytë brenda më pak se dy muajsh, ndërsa aktiviteti i kompanisë Sori AL është pezulluar në pritje të analizave.
Administratorja Alma Tafani është marrë në pyetje, por edhe pse hetimet vijojnë, ende nuk ka asnjë përgjegjës për skandalin.
Numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i furnizuar nga kompania Sori AL është rritur në 64, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e këtij rasti, i cili përsëritet për herë të dytë brenda më pak se dy muajsh.
Hetimet janë përqendruar te kompania që ofron shërbimin e kateringut, por edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), i cili në reagimin e parë relativizoi përgjegjësinë e kompanisë në pronësi të Alma Tafanit.
AKU bën me dije se ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuara nga studentët dhe ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të Sori AL deri në daljen e rezultateve të analizave.
Administratorja e kompanisë, Alma Tafani, është marrë në pyetje nga Policia. Ndryshe nga reagimi i saj i parë, ku pretendonte se në Akademi hyn edhe ushqim nga jashtë, mësohet se para hetuesve ajo i ka lidhur problemet shëndetësore të kursantëve me një virus të gripit.
Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, deklaroi në një konferencë për mediat se ambientet e Akademisë së Sigurisë janë bllokuar deri në përfundimin e analizave që do të përcaktojnë shkakun e helmimit.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë verifikimet, por deri tani nuk kanë ngarkuar me përgjegjësi asnjë person, qoftë nga kompania e Alma Tafanit apo nga subjektet e tjera të përfshira në zinxhirin e furnizimit me ushqim.
Dosja pritet t’i bashkohet hetimit të helmimit të ndodhur në fillim të muajit maj, kur dhjetëra studentë përfunduan në spital pasi konsumuan ushqim të kontaminuar me Escherichia coli dhe Stafilokok, dy baktere që shkaktojnë infeksione në organizmin e njeriut.


