AKSK thirrje qytetarëve: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba trafiku

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon qytetarët që të tregojnë kujdes ndaj mesazheve mashtruese që po qarkullojnë, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga Policia Rrugore për shkelje të pretenduara të qarkullimit dhe pagesa gjobash.
Sipas AKSK-së, këto mesazhe dërgohen nga numra të huaj dhe përmbajnë lidhje të dyshimta, afate të shkurtra për kryerjen e pagesës, kërcënime për masa administrative, si dhe oferta për ulje të vlerës së gjobës.
Qëllimi i tyre është të krijojnë ndjenjë urgjence dhe të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të rreme ose të japin të dhëna personale dhe financiare.
Autoriteti këshillon qytetarët të mos klikojnë në lidhjet e përfshira në këto mesazhe, të mos u përgjigjen kërkesave për konfirmim apo dërgim të të dhënave personale dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.
AKSK rekomandon bllokimin e numrit dërgues dhe raportimin e mesazhit si spam. Në rast se qytetarët kanë vendosur të dhëna bankare në këto faqe mashtruese, ata duhet të kontaktojnë menjëherë bankën përkatëse për të marrë masat e nevojshme.
Autoriteti rikujton se institucionet publike nuk kërkojnë pagesa, kode sigurie, fjalëkalime apo të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara nga numra të panjohur. AKSK u bën apel qytetarëve të mos veprojnë nën presion dhe të verifikojnë çdo njoftim përpara se të klikojnë në lidhje të panjohura.


