Abuzuan me fondet e ndihmës ekonomike në Elbasan, jepen masa sigurimi për 6 punonjës shtetëror

Prokuroria e Elbasanit ka goditur një skemë mashtrimi me fondet e ndihmës ekonomike, me një dëm prej 12.5 milionë lekësh në buxhetin e shtetit.

Organi i akuzës caktoi masa sigurie për 6 funksionarë publikë, të cilët dyshohet se kanë përfshirë në mënyrë të paligjshme familje në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike.

Ndaj gjashtë të dyshuarve, të cilët mbanin detyra si administrator shoqëror, postier, drejtor drejtorie në bashki dhe specialistë të Drejtorinë Rajonale, janë vendosur masat e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”.

Ata akuzohen për  shpërdorim detyre, vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh dhe hyrje e paautorizuar kompjuterike.

Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të një qytetari në prill të vitit 2025 dhe zbuloi se në një njësi administrative të qarkut Elbasan, gjatë periudhës tetor 2024 – korrik 2025, janë kryer shkelje të shumta në administrimin e skemës së ndihmës ekonomike.

“Hetimi është shtrirë vetëm në një Njësi Administrative të qarkut Elbasan, për periudhën Tetor 2024-Korrik 2025 dhe ka rezultuar një dëm ekonomik përafërsisht në vlerën 12 500 000 (dymbëshjetë milion e pesëqind mijë) lekë të reja. Kjo ka ardhur si pasojë e përfshirje në skemën e ndihmës ekonomike pa të drejtë të familjeve përfituese që nuk plotësonin kriteret ligjore për përfitim. Pas fillimit të hetimit penal, numri i familjeve përfituese është ulur, konkretisht  nga 320 familje përfituese në 110 familje.”, njofton Prokuroria.

Nga hetimet rezultoi se funksionarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë rritur fiktivisht numrin e familjeve përfituese, kanë anashkaluar dokumentacionin ligjor dhe kanë lejuar përfitime të padrejta nga fondet shtetërore.

EMISIONET