Mërgim Vojvoda pranë transferimit në Serie A/ Como pranon ofertën e Udineses për mbrojtësin kosovar

Mërgim Vojvoda është shumë pranë largimit nga Como, pasi klubi italian ka pranuar ofertën e Udineses për transferimin e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Udinese ka bërë një ofertë prej 1.3 milionë eurosh, plus 300 mijë euro në formë bonusesh, e cila është pranuar nga Como.
Tashmë, hapi i radhës është arritja e marrëveshjes personale mes klubit nga Friuli dhe futbollistit kosovar për të finalizuar transferimin.
Vojvoda, 31 vjeç, u bashkua me Comon në shkurt të vitit 2025 nga Torino për rreth 2 milionë euro dhe ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2028.
Mbrojtësi nga Drenica kishte tërhequr interes edhe nga disa klube të tjera të Serie A, përfshirë Cagliarin, Venezian dhe Monzan, por duket se Udinese ka fituar garën për shërbimet e tij.
Gjatë sezonit të kaluar, Vojvoda zhvilloi 34 paraqitje me fanellën e Comos në Serie A dhe Kupën e Italisë, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë tre asistime.
Futbollisti kosovar vlerësohet për fleksibilitetin e tij, pasi mund të luajë si mbrojtës i djathtë, në qendër të mbrojtjes me tre lojtarë, por edhe në role më të avancuara në krah.


