Ivan Barton gjykon Francë-Spanjë/ Arbitri që hyri në histori me “Ligjin e Vinicius” merr gjysmëfinalen e Botërorit

Ivan Barton gjykon Francë-Spanjë/ Arbitri që hyri në histori

Gjyqtari salvadorian Ivan Barton është përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar një nga sfidat më të rëndësishme të Kupës së Botës 2026, gjysmëfinalen mes Francës dhe Spanjës.

Takimi do të zhvillohet të martën në stadiumin AT&T në Arlington, ndërsa për Bartonin kjo do të jetë ndeshja e katërt e drejtuar në këtë edicion të Botërorit, duke e bërë arbitrin nga Amerika Qendrore me më së shumti ndeshje të gjykuara në historinë e turneut.

Barton, 35 vjeç, ka drejtuar më herët në këtë Botëror sfidat Turqi–Paraguai, Japoni–Suedi dhe Zvicër–Kolumbi. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kupës së Botës 2022 në Katar, ku arbitroi tri ndeshje.

Arbitri salvadorian njihet për stilin e tij strikt dhe vendosmërinë në situata të vështira. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar mbi 300 ndeshje zyrtare, duke shpërndarë më shumë se 1 mijë e 400 kartonë të verdhë dhe 86 kartonë të kuq direkt.

Barton u bë protagonist në këtë Botëror pasi ishte gjyqtari i parë që zbatoi rregullin e ri të FIFA-s, të quajtur “Ligji i Vinicius”.

Në ndeshjen Turqi–Paraguai, ai përjashtoi me karton të kuq sulmuesin Miguel Almiron, pasi lojtari mbuloi gojën gjatë një komunikimi me kundërshtarin. Pas ndërhyrjes së VAR-it, Barton vendosi ta ndëshkonte direkt.

Rregulli i ri i FIFA-s synon të parandalojë përdorimin e gjesteve të tilla për të fshehur fjalë fyese apo provokuese gjatë ndeshjeve.

EMISIONET