Tronditet futbolli holandez/ Ndahet nga jeta gjyqtari Rob Dieperink, ish-pjesë e listës së FIFA-s për Botërorin 2026

Gjyqtari holandez Rob Dieperink është gjetur pa jetë në moshën 37-vjeçare, në një ngjarje që ka tronditur komunitetin sportiv.
Lajmi u bë publik nga Federata Holandeze e Futbollit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë, nuk dyshohet për përfshirjen e personave të tretë, ndërsa detaje të tjera nuk janë bërë publike për shkak të privatësisë së familjes.
Dieperink ishte një figurë e njohur në arbitrimin ndërkombëtar. Ai ka qenë pjesë e skuadrave të VAR-it në “Euro 2024”, ku mori pjesë edhe në ndeshjen Itali-Shqipëri, si dhe kishte drejtuar disa takime ndërkombëtare.
Gjyqtari holandez ishte përfshirë fillimisht në listën e arbitrave të përzgjedhur nga FIFA për Kupën e Botës 2026, por më pas u përjashtua pas një incidenti në Londër.
Në prill, pas ndeshjes Kristal Palas–Fiorentina në Ligën e Konferencës, Dieperink u arrestua nën akuza për sulm ndaj një të mituri dhe dy akuza të tjera. Më vonë ai u la i lirë dhe çështja u mbyll për shkak të mungesës së provave, por FIFA vendosi ta hiqte nga lista e arbitrave për Botërorin.


