Koha para ekranit mund t’i ndihmojë fëmijët të rikuperohen më shpejt pas tronditjes së trurit

Një sasi e moderuar kohe para ekranit mund të ndihmojë disa fëmijë të rikuperohen më shpejt pas një tronditjeje të trurit, sugjeron një studim i ri, sipas Reuters.
Studiuesit raportuan në revistën shkencore “British Journal of Sports Medicine” se përdorimi i kufizuar i pajisjeve elektronike gjatë tre ditëve të para pas tronditjes së trurit u shoqërua me një rikuperim më të shpejtë krahasuar me shmangien e plotë të ekraneve.
“Këto rezultate tregojnë se koha e moderuar para ekranit, jo shumë pak dhe jo shumë shumë, mund të mbështesë rikuperimin nga tronditja e trurit”, tha drejtuesja e studimit, Jingzhen Ginger Yang nga “Nationwide Children’s Hospital” në Columbus, Ohajo.
Sipas saj, një mesatare prej 141 minutash në ditë para ekranit u shoqërua me një rikuperim 35% më të shpejtë, ndërsa përdorimi prej rreth 260 minutash në ditë lidhej me një rikuperim më të ngadaltë.
Të rinjtë që kalonin më shumë se katër orë në ditë ose më pak se dy orë para ekranit kishin më shumë gjasa të përjetonin zgjatje të simptomave.
Në studim morën pjesë 80 adoleshentë me tronditje të trurit.
Ata përdorën pajisje të posaçme që matnin objektivisht kohën e kaluar jashtë shkollës në telefona inteligjentë, televizorë, kompjuterë, tableta ose pajisje lojërash elektronike.
Studiuesit zbuluan se lloji i ekranit kishte rëndësi.
Rreth dy orë në ditë përdorim i telefonit inteligjent ose televizorit u shoqërua me rikuperim më të shpejtë, ndërsa përdorimi i kompjuterëve, tabletave dhe lojërave elektronike nuk tregoi një lidhje të rëndësishme me përmirësimin e simptomave.
“Megjithëse nevojiten studime të tjera klinike për ta konfirmuar këtë qasje, rezultatet tregojnë një zhvillim të mundshëm në trajtimin e tronditjeve të trurit, ndryshe nga udhëzimet e mëparshme që rekomandonin shmangien totale të ekraneve”, tha bashkautori i studimit, Thomas Pommering.
Gjetjet sugjerojnë se një përdorim i kontrolluar dhe i moderuar i ekraneve mund të jetë më i dobishëm sesa izolimi i plotë nga teknologjia gjatë ditëve të para të rikuperimit pas një tronditjeje të trurit.


