Çitaku pas deklaratës së ministres Serbe: Ideologjia që prodhoi gj*nocid dhe dëbime masive ende nuk është mposhtur

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Çitaku deklaroi se kjo dëshmon, sipas saj, se ideologjia që çoi në krime, masakra dhe dëbime masive gjatë luftës në Kosovë vazhdon të ketë mbështetje në disa segmente të institucioneve serbe.
“Problemi nuk është vetëm e kaluara. Problemi është se ideologjia që prodhoi gjenocid, masakra dhe dëbime masive ende nuk është mposhtur”, u shpreh Çitaku, duke theksuar se deklarata të tilla janë fyerje për viktimat e luftës.
Ajo shtoi se Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të distancohet nga çdo përpjekje për të glorifikuar krimet e së kaluarës.
Duke kujtuar luftën e viteve 1998-1999, Çitaku tha se Kosova, pavarësisht disavantazhit ushtarak, nuk u dorëzua dhe se nuk do të gjunjëzohet as në të ardhmen.
Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, ndërsa Bashkimi Evropian ka theksuar se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.


