Arsenal arm*sh në veri të Kosovës/ 51 raste të zbuluara në 6 muaj, 18 persona të arrestuar

Policia e Kosovës ka intensifikuar operacionet kundër armëmbajtjes pa leje në veri të vendit, duke zbuluar dhjetëra raste të posedimit të armëve ilegale gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, në katër komunat veriore janë iniciuar 51 raste penale dhe janë arrestuar 18 persona të dyshuar. Gjatë operacioneve janë sekuestruar armë automatike, granata dore, eksplozivë, municione të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje ushtarake.
Eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se institucionet e Kosovës kanë arritur të identifikojnë dhe neutralizojnë pika operative ku dyshohet se për vite janë grumbulluar dhe shpërndarë armë e municione.
Sipas tij, disa prej këtyre strukturave dyshohet se kanë pasur lidhje me grupe të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
“Qendrat janë veprime operative ku shteti i Serbisë në mënyrë permanente dhe konstante ka zhvendosur operaturën e saj shtetërore në shërbim të grupeve terroriste apo grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar”, është shprehur Shala.
Edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, e cilëson situatën në Mitrovicën e Veriut si të brishtë, për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve në objekte të pabanuara.
Sipas tij, patrullimet policore kanë çuar në gjetjen e armëve të fshehura në zona të ndryshme, të cilat dyshohet se kanë mbetur prej periudhave të mëparshme.
Gjatë kontrolleve në veri janë sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë pushkë automatike AK-47, pushkë M-48, armë gjahu, granata, eksplozivë, municione dhe uniforma ushtarake.
Ekspertët e sigurisë kërkojnë që armët e sekuestruara t’i nënshtrohen ekzaminimit balistik për të përcaktuar nëse janë përdorur në incidente apo aktivitete kriminale.

