Gjykimi i Ilir Beqajt për “Sterilizimin”, SPAK kundërshton 23 kërkesat e ish-ministrit

Në seancën për çështjen e “Sterilizimit”, Ilir Beqaj kundërshtoi qëndrimin e SPAK lidhur me 23 kërkesat e paraqitura nga mbrojtja, duke pretenduar se gjatë hetimeve i janë cenuar të drejtat procedurale.
“Pranoj që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia”, deklaroi Beqaj pas qëndrimit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtuar se ende nuk ka marrë një sqarim të qartë mbi akuzën ndaj tij.
Sipas ish-ministrit, SPAK nuk ka dhënë përgjigje të plota për natyrën e akuzave dhe mënyrën se si janë ndërtuar ato. “Sot përsëri e kam të vështirë të bëj mbrojtjen, nga SPAK nuk u nda që të ketë një konfirmim mbi qartësinë e akuzës”, tha Beqaj.
Ai ngriti pretendime edhe mbi veprimet hetimore, duke deklaruar se për periudhën 2019-2020, sipas tij, nuk ka pasur hetime konkrete në dosje. “Nuk ka asnjë veprim hetimor, janë zero veprimet paraprake”, u shpreh ish-ministri.
Duke iu referuar akuzës për vjedhje, Beqaj tha se duhet të përcaktohet qartë dëmi dhe rrethanat e pretenduara nga akuza. “Nuk besoj se ka vjedhje para se të shkruhet kontrata, mund të ndodhin vepra të tjera penale. Kur më akuzon, më thuaj një shifër”, deklaroi ai.
Beqaj kërkoi gjithashtu që SPAK të paraqesë të dhëna mbi laboratorin e përdorur për analizimin e provave elektronike, duke ngritur pretendimin se ai nuk është i certifikuar.
Ndërkohë, SPAK kërkoi rrëzimin e të 23 kërkesave të ish-ministrit, duke argumentuar se ato janë të pabazuara në ligj dhe se pretendimet e mbrojtjes janë trajtuar gjatë fazave të mëparshme të procedimit.
Në fund të seancës, avokati i Beqajt kërkoi kohë për t’u njohur me argumentet e SPAK, ndërsa gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 11 shtator, pasi deklaroi se nuk ishte ende gati për t’u shprehur mbi kërkesat e palëve.
Seanca shtyhet për datë tjetër, edhe gjykata nuk është gati për tu shprehur mbi kërlesat e palëve. Seanca e ardhshme shtyhet për në 11 shtator

