Shtatori dhe tetori me çështje kyçe në Kushtetuese, ja kur do të shqyrtohen kërkesat e Berishës dhe Salianjit

Shtatori dhe tetori me çështje kyçe në Kushtetuese, ja

Gjykata Kushtetuese ka publikuar kalendarin e seancave për muajt shtator dhe tetor, ku do të shqyrtohen disa çështje me rëndësi, mes tyre kërkesat që lidhen me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, masën e sigurisë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si edhe ankimin e Ervin Salianjit.

Sipas kalendarit zyrtar, më 29 shtator, në orën 10:00, do të zhvillohet seanca plenare mbi bazë dokumentesh për verifikimin e zgjedhshmërisë dhe pajtueshmërisë kushtetuese të zgjedhjes së Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Në të njëjtën çështje do të shqyrtohet edhe kërkesa për shfuqizimin dhe pezullimin e vendimit të Kuvendit që miratoi zgjedhjen e tij.

Po më 29 shtator, në orën 11:00, Kushtetuesja do të marrë në shqyrtim kërkesën e Ervin Salianjit, i cili kundërshton vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai kërkon shfuqizimin e tyre, duke argumentuar se bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, më 8 tetor, në orën 11:00, do të zhvillohet seanca për kërkesën e Sali Berishës. Kreu i Partisë Demokratike kundërshton vendimet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si edhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Berisha kërkon shfuqizimin e këtyre vendimeve, me argumentin se bien në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe heqjen e masës së sigurisë "detyrim për paraqitje", e cila vijon të jetë në fuqi ndaj tij.

Të treja çështjet do të shqyrtohen në seanca plenare mbi bazën e dokumentacionit të administruar nga Gjykata Kushtetuese.

 

EMISIONET