Reforma Zgjedhore, ekspertizë ndërkombëtare për forcimin e masave kundër keqpërdorimit të burimeve administrative në zgjedhje

 Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore zhvilloi sot një tryezë teknike mbi parandalimin dhe reagimin ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative në proceset zgjedhore, ku u diskutua nevoja për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, theksoi se çështja e përdorimit të burimeve njerëzore dhe shtetërore gjatë fushatave zgjedhore mbetet një nga temat më të debatueshme. Sipas tij, Shqipëria ka miratuar masa legjislative të rëndësishme, veçanërisht pas reformës zgjedhore të vitit 2020, e cila vendosi standarde të reja për kufizimin e aktiviteteve publike që mund të ndikojnë në fushata dhe i dha një rol më të madh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shoqërisë civile në monitorimin e tyre. Megjithatë, Gjiknuri vlerësoi se ka ende hapësirë për përmirësime.

“Ka një rëndësi të veçantë pasi flet për një nga temat e cila përgjithësisht ka qenë debatueshme për sa i përket rolit të burimeve njerëzore dhe shtetit dhe ndikimit të tyre në fushatat zgjedhore. Shqipëria ka marrë disa masa legjislative, për mendimin tim ka bërë kufizime të tilla që pak shtete në Evropë i kanë për sa i përket ndalimit të aktiviteteve publike që potencialisht mund të ndikojnë në fushata zgjedhore. Reforma e vitit 2020 solli disa standard të reja për s ai përket kufizimeve dhe i dha një rol të caktuar KQZ-së dhe shoqërisë civile për të monitoruar aktivitete publike dhe si ato mund të kenë efekt në fushatat zgjedhore. Këtu mund të ketë vend për t’u përmirësuar. Dihet kudo ajo që quhet avantazhi i partisë në pushtet, pavarësisht se edhe në vendin më demokratik të botës kjo gjë merret e mirëqenë, megjithatë është e rëndësishëm që ne të kufizojmë deri në maksimum përdorimin e burimeve njerëzore për efekte elektorale”, tha ai.

Ai bëri thirrje që reforma të mbështetet në ekspertizën ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, me synimin që Komisioni i Reformës Zgjedhore të paraqesë një paketë të re ligjore brenda këtij viti, përpara afatit të përcaktuar në muajin nëntor.

“Të dëgjojmë ekspertizën ndërkombëtare, t’i lëmë debatet e zakonshme. Të reflektojmë mbi atë që do të thonë sa u përket praktikave më të mira dhe pastaj natyrshëm në Komisionin e Reformës Zgjedhor do të kemi mundësin që të shohim alternativat më të mira. Të vijmë me një paketë ligjore brenda këtij viti, sepse e kemi vendosur për të shtyrë afatin deri në nëntor”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, e cilësoi keqpërdorimin e burimeve administrative si një nga problemet më të mëdha që cenon procesin zgjedhor në Shqipëri. Ai tha se përdorimi i shtetit në favor të partisë në pushtet prish barazinë në garë.

Sipas Bylykbashit, asnjë sistem zgjedhor nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme nëse institucionet shtetërore angazhohen në mbështetje të një force politike. Ai theksoi se komisioni duhet të arrijë një zgjidhje efektive dhe funksionale për këtë fenomen, duke e konsideruar atë si një nga objektivat kryesorë të reformës zgjedhore.

“Kjo është një pjesë thelbësore e punës së komisionit për të arritur në konkluzion dhe më pas ato konkluzione t’i kthejmë në zgjedhje legjislative. Çështja që kemi sot në trajtim është një nga çështjet më të mëdha dhe më shkatërruese të procesit zgjedhor sot në Shqipëri. Dikush mund të thotë se kjo ka ekzistuar gjithmonë, por dimensioni me të cilin ne përballemi është i tillë që nuk lë vend dhe hapësirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Asnjë sistem zgjedhor nuk përballon dot shtetin kur futet në krah të njërit prej garuesve dhe shpartallon çdo lloj standardi zgjedhor. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje të jetë efikase dhe funksionale ky komision i reformës nuk do të përmbushë një nga çështjet kryesore që ka dhe Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje”, tha ai.

EMISIONET