"S’ kam frikë nga turmat", Rama për Corriere della Sera: Histeria dixhitale krijon një imazh të rremë të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama shtriu dorën për dialog me protestuesit, por hodhi poshtë kërkesat për dorëheqje, duke theksuar se pushteti ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve. Kreu i qeverisë kërkoi ndjesë nëse ka lënduar qytetarët e sinqertë dhe tha se fati i projektit në Zvërnec do të vendoset vetëm mbi bazën e ligjit.

Transparenca, dialogu dhe veprimi janë baza e ofertës së kryeministrit Edi Rama për qytetarët, të cilët prej 40 ditësh mblidhen para zyrës së tij për t’i kërkuar dorëheqjen, në një protestë që tashmë e ka tejkaluar kauzën mjedisore kundër projektit turistik në Zvërnec, me të cilën nisi.

"Zgjidhja nuk mund të jetë: “Ndalo gjithçka sepse e them unë”. Zgjidhja është: verifiko gjithçka, korrigjo atë që duhet korrigjuar, ndalo atë që është në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik dhe lejo atë që i shërben vendit."

Për t’i hapur rrugë dialogut, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, kreu i qeverisë bëri edhe një mea culpa, duke bërë njëkohësisht dallim të qartë mes qytetarëve që protestojnë në shesh dhe atyre që, sipas tij, manipulojnë debatin në rrjet.

"Nëse diçka që thashë ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, jam plotësisht i lirë të them se më vjen keq."

Për të gjithë ata që e kundërshtojnë, Rama tha se nuk ndjen frikë.

"Nuk kam frikë nga administrata amerikane, as nga mediat sociale, as nga turma. Kam përgjegjësi ndaj Shqipërisë."

Atyre që i kërkojnë dorëheqjen, kreu i mazhorancës iu përgjigj duke iu referuar parimeve të demokracisë.

"Kush mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo është demokracia. Ultimatumi nuk është demokraci."

Duke theksuar se në Shqipëri anti-trumpistët po përplasen me Presidentin e SHBA-së, kreu i qeverisë ishte i prerë për faktorët që do të përcaktojnë fatin e projektit turistik në Zvërnec.

"Kriteri do të jetë vetëm një: a i plotëson projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, do të vazhdojë. Nëse jo, nuk do të vazhdojë. Pikë."

Një përgjigje të qartë dha edhe për kërkesat që projekti të ndalet për shkak të reagimit qytetar.

"Nëse çdo proces ndalet sapo krijohet një stuhi digjitale, atëherë nuk kemi më ligj, ekonomi apo institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike."

Duke theksuar se protestat i kujtuan lëvizjen studentore të vitit 2018, me shqetësime reale, Rama pranoi se në shoqëri ekziston pakënaqësi.

"Pensionet janë ende të ulëta. Shëndetësia ka ende plagë të hapura. Pasiguria ligjore nuk zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë."

Kryeministri foli edhe për ndërhyrje të huaja në këto protesta, duke thënë se Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, por duke theksuar se tubimet paqësore nuk e cënojnë procesin e integrimit të vendit në BE.

EMISIONET