Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ja cilat janë çështjet kyç për rendin e ditës

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë përfshirë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025, si edhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.
Deputetët do të shqyrtojnë raportet vjetore të një sërë institucionesh, duke nisur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe Bankën e Shqipërisë.
Në seancë do të kalojnë për shqyrtim edhe projektrezolutat për veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Radiotelevizionit Shqiptar, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Entit Rregullator të Energjisë dhe Entit Rregullator të Ujit.
Seanca nis me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve plenare të 30 qershorit dhe 2 korrikut 2026, si edhe me njoftimet sipas Rregullores së Kuvendit.
Në pjesën e fundit të seancës janë parashikuar diskutime për problematika të evidentuara nga zgjedhësit, ku deputetët do të paraqesin çështje të ngritura nga qytetarët në zonat që përfaqësojnë.


