Bamir Topi dëshmon për dosjen “Partizani”: Me Malltezin kam pasur njohje në distancë, procedura vinte te Presidenti
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, është paraqitur si dëshmitari i radhës në gjyqin e themelit për dosjen “Partizani”. Topi ka dhënë dëshminë e tij në orën 11:00, ku ka folur për njohjet e tij me disa prej personave të përfshirë në çështje dhe për procedurat që kanë kaluar në Presidencë gjatë kohës që ai drejtonte institucionin.
Gjatë dëshmisë, Topi u pyet për njohjen me Jamarbër Malltezin, duke u shprehur se e njeh si dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe se kanë pasur një njohje në distancë.
“Malltezin e njoh si dhëndrin e doktor Berishës, me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Ka qenë një njohje në distancë”, u shpreh Topi.
Ish-presidenti foli edhe për personat e tjerë të përmendur në dosje, duke përfshirë ish-zyrtarë të tjerë, ndërsa për disa prej tyre tha se njohja lidhej me funksionet që kanë pasur në administratë.
Duke iu referuar periudhës kur ishte në krye të Presidencës, Topi u ndal te proceset e reformimit të Forcave të Armatosura dhe bashkëpunimi me ekspertë të NATO-s.
“Si President i Republikës dhe komandant i Forcave të Armatosura, procesi i reformave në atë kohë asistohesh nga ekspertë të NATO-s”, tha ai.
Për çështjen e klubit “Partizani”, Topi u shpreh se procedura kalonte për miratim në Presidencë dhe kujtoi një takim me ish-zyrtarin Vladimir Qiriazi, i cili sipas tij kishte shprehur shqetësime për këtë çështje.
“Sa i takon klubit Partizani, ka qenë një procedurë që vinte te Presidenti për t’u përmbyllur. Mbaj mend që më ka ardhur Vladimir Qiriazi dhe më ka shprehur shqetësim”, u shpreh Topi.
Para dëshmisë së Topit, Sali Berisha ishte pyetur nga gazetarët nëse ish-presidenti do të dëshmonte në favor të tij.
Berisha u përgjigj se nuk kishte nevojë për dëshmitarë në mbështetje të tij, duke përsëritur qëndrimin se ndaj tij nuk ka pasur shkelje ligjore.


